Ish-ministri i jashtëm: Kurti kapitulloi duke hequr njëanshëm regjimin e vizave për Bosnjën

Ish-ministri i jashtëm: Kurti kapitulloi duke hequr njëanshëm regjimin e vizave për Bosnjën

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, deputeti, Enver Hoxhaj, ka komentuar deklaratën e kryeministrit Albin Kurti, i cili në samitin e Procesit të Berlinit tha se Kosova do të lejojë lëvizjen e lirë për qytetarët e Bosnjës nga 1 janari.

Hoxhaj përmes një postimi në “Facebook” ka thënë se vendimi unilateral i kryeministrit Kurti për të hequr regjimin e vizave për Bosnjën dhe Hercegovinën nuk është asgjë më pak se një kapitullim.

Postimi i plotë i Hoxhajt:

Beogradi sot po ndjehet rehat. BE-ja filloi liberalizimin e vizave për serbët e Kosovës me pasaporta të lëshuara nga Serbia që qytetet e Kosovës i paraqet si të Serbisë, e Qeveria Kurti i dha lëvizje të lirë serbëve të Republika Srspka-s në të njëjtën ditë. Vendimi unilateral i Kryeministrit Kurti për të hequr regjimin e vizave për Bosnjën dhe Hercegovinën nuk është asgjë më pak se një kapitullim.

Pas dorëzimit në CEFTA, tani ai po i nënshtrohet bllokadës së Republikës Srpska, pa siguruar lëvizje të lirë reciproke për Kosovën. Por sot, si mund ta justifikojë Kurti që regjimi për pasaportat e lëshuara nga Zyra Koordinuese e Serbisë lejon serbët të lëvizin lirshëm në BE – duke legjitimuar në mënyrë efektive pretendimin e Serbisë mbi qytetet e Kosovës? Ky vendim i Brukselit është një sulm i qartë ndaj sovranitetit të Kosovës, ndaj të cilit Kurti ka heshtur dhe nuk ka kundërshtuar në bisedimet e tij në tavolinat e majta, të cilat kanë rezerva ndaj shtetësisë së Kosovës.

E gjitha kjo ndodhi duke i dhënë Beogradit një mjet për vetëmenaxhimin politik të popullsisë serbe në Kosovë, vitin e kaluar në vilën e Titos në Ohër. Kurti po hap rrugën për agjendën e Beogradit, duke minuar pavarësinë e fituar me sakrificë të Kosovës dhe duke kërcënuar të ardhmen e saj me politikën e dorëzimit ndaj agjendave të majta evropiane.

Jam shumë krenar që kam qenë unë ai që ka propozuar regjim të vizave me Bosnjën dhe Hercegovinën pasi Repubika Srspka kishte kushtëzuar tërë shtetin boshnjak që të merrte një vendim të tillë! Të shoh Kryeministrin Kurti që sot pa asnjë reciprocitet të shpall një vendim të tillë, është gabim shumë i madh politik, ngaqë qytetarët tanë do presin para ambasadave të Bosnjës dhe pse mos të presin edhe ata para ambasadave të Kosovës!