UNICEF: Më shumë se 370 milionë vajza janë viktima të dhunës seksuale
Më shumë se 370 milionë vajza dhe gra të reja nën moshën 18-vjeçare, janë dhunuar apo janë sulmuar seksualisht në gjithë botën, sipas Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Fëmijë (UNICEF).
Këto janë shifrat e para të agjencisë lidhur me dhunën seksuale ndaj fëmijëve, në nivel global, dhe janë publikuar një ditë para shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Vajzave, raporton Rel.
Të dhënat nënkuptojnë që një në tetë vajza është e prekur nga kjo formë e dhunës.
Nëse në të dhëna përfshihen edhe format tjera të dhunës seksuale, sikurse ato që kryhen online apo dhuna verbale, atëherë numri do të shkonte në mbi 650 milionë, që do të thotë se çdo e pesta vajzë është përballur me një formë dhune, ka thënë UNICEF.