Kosova nuk përfaqësohet më nga UNMIK-u në CEFTA
Kosova do të përfaqësohet tani nga institucionet dhe zyrtarët e saj në Marrëveshjen për Tregtinë e Lirë të vendeve të Evropës Qendrore (CEFTA), pas një vendimi të Komitetit të Përbashkët të CEFTA-s për ta pranuar kërkesën e saj për heqjen e UNMIK-ut nga roli i përfaqësuesit, raporton Rel.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e Kosovës, Rozeta Hajdari, tha të mërkurën në një konferencë për media se “nga sot, në takimet e komiteteve të përbashkëta, Kosova do të përfaqësohet nga institucionet e saj dhe pa prezencën e UNMIK-ut”.
Kosova ishte përfaqësuar në CEFTA – marrëveshjen që synon rritjen e tregtisë së mallrave dhe shërbimeve, eliminimin e barrierave tregtare mes palëve dhe tërheqjen e investimeve – përmes Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) prej vitit 2007, kur iu bashkua asaj.
“Pjesëmarrja përmes UNMIK-ut në CEFTA është larguar përfundimisht, kjo vjen si rezultat i përpjekjeve të shumta dhe përkushtimit të Kosovës për ta rregulluar pozicionin e saj në këtë mekanizëm”, tha Hajdari pas takimit të Komitetit të Përbashkët të CEFTA-s, i kryesuar nga Serbia, në Beograd.
Ajo tha se Kosova e bëri këtë kërkesë në vitin 2021 dhe prej atëherë e kishte bllokuar punën në CEFTA për të bërë trysni në pranimin e kërkesës së saj.
“Ishin 13 vendime të dërguara në pritje për miratim që nga dërgimi i letrës sonë… ishte përkushtimi i Kosovës që të mos i miratojë këto vendime pa u miratuar kërkesa e Kosovës për largim të UNMIK-ut, që ishte kërkesa e parë e Kosovës në takime në këto tri vjet”, shtoi ajo.
Të gjitha ato vendime, sipas saj, u miratuan pas pranimit të kërkesës së Kosovës, duke bërë që të zhbllokohet puna në CEFTA.
Jeton Zulfaj, këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, tha se pranë emrit të Kosovës në CEFTA do të ketë një yll, apo fusnotë.
Zulfaj tha gjithashtu se Kosova do të përfitojë “shumë” nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian.