Përgjimet e Kusari-Lilës me Radoiçiq, Kurti: Do të intensifikohet lufta hibride ndaj Qeverisë
Kryeministri Albin Kurti ka folur për përgjimin e radhës që u publikua për shefen e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, me Milan Radoiçiq, atëherë ishte nënkryetar i Listës Serbe.
Në një konferencë për medie, Kurti tha se nuk e ka parë e dëgjuar, por vetëm se di të thotë që lufta hibride ndaj qeverisë do të intensifikohet.
“Në këto momente nuk kam as si ta shoh e as si ta dëgjoj. Përshtypja ime është se tani do të intensifikohet lufta hibride kundër Republikës së Kosovës, në veçanti kundër qeverisë tonë, kundër Grupit tonë Parlamentar, dhe kryetares së Grupit tonë Parlamentar, e kemi parë edhe në të kaluarën, dhe unë nuk pres shumë çka të re prej atyre të vjetërve të cilët natyrisht problemin më të madh e kanë që sikurse në këto tri vite e gjysmë që ka pasur sundim të ligjit, rend publik dhe integritet territorial nuk i gjeni asnjëherë në Kosovën e pasluftës”, ka thënë Kurti.
Audio-incizimet janë publikuar të mërkurën nga portali Paparaci, derisa çështja ka të bëjë me kalimin e Projektligjit për Pagën
Minimale dhe për votimin e një kandidati për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese në qershor të 2022-s.
Në kohën e komunikimit, Radoiçiq veç ka qenë në ndjekje të autoriteteve të Kosovës dhe në listën e zezë të ShBA-së.
Ai tashme ndodhet në arrati nga autoritetet e Kosovës që nga 18 janari 2019 dhe i sanksionuar nga ShBA-ja në dhjetor të vitit 2021.
Komunikimi ishte realizuar me ndërmjetësimin e Sllavko Simiqit, ish-homologut të Kusari-Lilës nga Lista Serbe.
Me të nisur biseda telefonike, Simiq e informon Kusari-Lilën se ka mbërritur “te Millani [Radoiçiqi, v.j]” dhe i sugjeron të dëgjohej direkt me të.
“Hej kolege, ja mbërrita te Millani, dhe ja dëgjohu me të”, i thotë Simiq, Kusari-Lilës. “Hajde”, i përgjigjet Kusari-Lila, shefit të Grupit Parlamentar të Listës Serbe.
Pasi të dy merren vesh për kyçjen në bisedë të Radoiçiqit, Simiq ia kalon telefonin të fortit të Listës Serbe dhe vazhdon komunikimi.
Partia e Kurtit, LV-ja, sa ishte në opozitë i kritikonte pushtetet e mëhershme për bashkëpunim me Listën Serbe për ligje të caktuara që do të duhej të kalonin në Kuvendin e Kosovës.