Kurti: Çdo angazhim për zhvillimin e fëmijërisë, është angazhim për zhvillimin e vendit tonë

Kurti: Çdo angazhim për zhvillimin e fëmijërisë, është angazhim për zhvillimin e vendit tonë

Kryeministri Albin Kurti, i shoqëruar nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, mori pjesë në konferencën e organizuar për publikimin e Raportit të Monitorimit “Karta e Vlerësimit” me titull “Cili është rezultati i përgjithshëm i Kosovës për kujdesin ndaj fëmijëve”.

Raporti i cili u publikua nga Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF), ofron të dhëna për gjendjen e të drejtave të fëmijëve dhe jep rekomandime të cilat mbështesin përmirësimin dhe mbrojtjen e tyre në Kosovë.

Fjalën e tij, kryeministri Kurti e filloi duke thënë se pyetja jonë e përbashkët duhet të jetë se cili është mjedisi i kujdesit për fëmijët tanë sot, dhe çfarë na paralajmëron ky mjedis për të ardhmen e shoqërisë tonë.

Teksa përmendi nismat e ndërmarra për fëmijët gjatë këtij mandati qeverisës, kryeministri tha se duke qenë të vetëdijshëm se ka shumë punë për t’u bërë, “ne parimisht kemi siguruar që të rritet mbështetja për politikat sociale dhe të prezantohen skema të reja, duke krijuar barazi nga mosha e hershme”.

“Ka tri vite që kemi prezantuar shtesat për fëmijë nën moshën 16-vjeçare, të cilat i dyfishuam e i trefishuam sivjet dhe njëkohësisht shtesat për nënat lehona. Deri më tani kemi mbi 410 mijë fëmijë dhe afër 60 mijë nëna lehona që po përfitojnë. E si efekt dytësor, rreth 100 mijë gra hapën llogari bankare për herë të parë”, tha kryeministri.

Ai shtoi se janë ndarë mbi 100 milionë euro për të mbështetur përfituesit e skemave të asistencës sociale, është rritur për 100% buxheti për mbështetje financiare për strehimoret dhe OJQ-të që ofrojnë shërbime sociale, janë shpërndarë mbi 35 mijë pako ushqimore, mbështetur 20 kuzhina popullore, po subvencionohen faturat e energjisë elektrike për mbi 60 mijë familje, ka nisur Pilotimi i reformës së Skemës së Asistencës Sociale si dhe përmendi investimet në shëndetësi.

Tutje, kryeministri shtoi se çdo angazhim për zhvillimin e fëmijërisë, nga Qeveria dhe zyrtarët e përveçëm, nga shoqëria në përgjithësi dhe posaçërisht OJQ-të, nga prindërit, familjarët dhe kujdestarët e tyre, është angazhim për zhvillimin e vendit tonë e të njerëzimit në përgjithësi.