Pjesëmarrja e Kosovës në “EXPO 2025” dhe investimet japoneze

Pjesëmarrja e Kosovës në “EXPO 2025” dhe investimet japoneze

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, në kuadër të vizitës zyrtare që po zhvillon në Japoni, ka takuar përfaqësues të institucioneve japoneze, me të cilët ka diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit në fusha kyç, veçanërisht në fushën e tregtisë, të ekonomisë dhe të investimeve.

Ajo ka theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së Kosovës në “EXPO 2025”, një mundësi për promovimin e vendit në arenën ndërkombëtare dhe një platformë për të krijuar ura të reja të komunikimit e të bashkëpunimit ndërmjet botës së zhvilluar dhe potencialit të saj për zhvillim të qëndrueshëm.

Në kuadër të kësaj, zëvendësministrja Gashi zhvilloi takime të veçanta me drejtorin menaxhues të Federatës së Bizneseve në Japoni, KEIDANREN, Ichiro Hara, presidentin e Organizatës Japoneze për Tregtinë e Jashtme, JETRO, Susumu Kataoka, si dhe me drejtorin e përgjithshëm të Departamentit për Lindjen e Mesme dhe Evropën të Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Kei Toyama, JICA.

Temë e përbashkët e këtyre takimeve ishte pjesëmarrja e Kosovës në “EXPO 2025”, si edhe mundësitë e investimeve japoneze në vend.

Zëvendësministrja Gashi vuri në pah mundësitë që ofron Kosova për investitorët e huaj, duke theksuar përparësitë dhe potencialin që vendi ofron për zhvillim të biznesit.

Ajo theksoi mundësitë e bashkëpunimit në sektorë strategjikë, duke përfshirë teknologjinë, turizmin, energjinë e ripërtëritshme dhe prodhimin industrial.

Zëvendësministrja Gashi, po ashtu, i njoftoi bashkëbiseduesit për vlerësimet pozitive që i janë bërë Kosovës nga indekset ndërkombëtare lidhur me cilësinë e demokracisë sonë të re, për nivelin e lirive civile dhe të drejtave politike, lirinë e shtypit, progresin në sundimin e ligjit, por edhe për progresin ekonomik dhe përparimet e shpejta teknologjike dhe hapjen e Kosovës ndaj inovacioneve digjitale.

Zëvendësministrja Gashi i ka ftuar përfaqësuesit e bizneseve japoneze dhe të agjencisë për bashkëpunim ndërkombëtar që ta vizitojnë Kosovën, që t’i shohin nga afër mundësinë e zgjerimit të bashkëpunimit dhe të investimeve në Kosovë, duke e fuqizuar më tej marrëdhënien e shkëlqyeshme që kanë dy vendet tona.