Demokracia në Veprim: Kërkojmë nga partitë përfaqësim të barabartë gjinor në listat zgjedhore
Nga partitë politike po kërkohet përfaqësim i barabartë gjinor në listat zgjedhore.
Këtë kërkesë specifikisht po e bënë Demokracia në Veprim.
“Shumica e subjekteve politike, së paku deklarativisht, janë shprehur “pro” përfaqësimit të barabartë gjinor në vendimmarrje dhe përfaqësim partiak, si parakusht i forcimit të legjitimitetit të tyre. Një orientim i tillë në favor të barazisë gjinore, kishte bërë që në zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2021, të kemi për herë të parë përmbysje të raportit mes deputeteve gra të zgjedhura në saje të kuotës dhe atyre të zgjedhura me votë meritore. Nga 43 deputete gra të zgjedhura, 34 prej tyre ishin futur në parlament falë votës meritore – si rezultat i rritjes së numrit të grave në lista të kandidatëve por edhe mënyrës se si ishin radhitur ato brenda këtyre listave. Përkundër që legjislacioni ynë aktual ka një prag të garantuar prej 30% për gjininë më pak të përfaqësuar në listat zgjedhore, kjo nuk do të duhej t’a kufizojë ambicien e subjekteve politike për të përfshirë sa më shumë gra, dhe për të tentuar krijimin e listave sipas modelit ‘Zeber’. Ky model, me renditje të barabartë mes grave dhe burrave – ku çdo i dyti kandidat është i gjinisë tjetër – do të garantonte një përfaqësim më të drejtë gjinor dhe do të siguronte që gratë të kenë një mundësi më të madhe për t’u zgjedhur në Kuvendin e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Demokracisë për Veprim.
Modeli “zebër”, që ka filluar të gjejë zbatim edhe në shtetet e rajonit dhe më gjerë, DV-ja thotë se duhet parë si masë afirmative dhe praktike për të siguruar përfshirjen e grave, pa kompromentuar vlerën e votës së barabartë. Ky hap përpara do të kontribuojë në promovimin e një demokracie më gjithëpërfshirëse dhe përfaqësuese, duke ndikuar pozitivisht në kulturën politike të vendit tonë dhe në vetë demokratizimin e brendshëm të partive.
“Ne i inkurajojmë veçanërisht forumet e grave brenda partive politike, liderët e partive dhe anëtarët tjerë që janë në mbështetje të kauzës për barazi gjinore që të angazhohen edhe më fuqishëm për të promovuar këtë proces. Përbrendësimi i vlerave të barazisë gjinore në subjekte politike dhe më pas edhe në qeverisje fillon pikërisht me vendime të guximshme si ky. Barazia gjinore nuk është thjesht një detyrim ligjor, por një përgjegjësi politike dhe morale që ne të gjithë duhet të promovojmë për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe gjithëpërfshirëse. Roli juaj është vendimtar në këtë periudhë, dhe angazhimi juaj do të jetë thelbësor në realizimin e këtij qëllimi. Ne besojmë se miratimi i listave zebra do të përmirësojë jo vetëm përfaqësimin e grave, por edhe besimin e qytetarëve në institucionet tona demokratike”.