Është hapur panairi “Agrokos” & “Expokos” 2026, në të cilin u tha se duhet të bëhet përpjekje më e madhe për ta ulur deficitin tregtar dhe për ta rritur prodhimin vendor.
Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, duke folur në këtë panair, tha se shteti i Kosovës duhet të fuqizohet dhe të rritet besimi në produktet “Made in Kosova”.
Ajo tha se me një sektor privat të fortë edhe Kosova është e fortë, duke shtuar se përmes resurseve që ka vendi duhet ta ngrehim edhe ekonominë aty ku e meriton.
Bekim Xhafa nga “Agrokos”, tha se ky është viti i 26 që kur organizohet ky panair dhe, sipas tij, ka shërbyer për të gjitha bizneset start-up për të hyrë në treg.
Mirsad Jasarspahic, kryetar i Odës Ekonomike e Bosnjë-Hercegovinës, ka treguar se më vendimin e qeverisë për t’ua larguar vizat këtyre të fundit është lehtësuar pjesëmarrja në panairet në Kosovë.
Edhe ministri i Punës, Andin Hoti, ka vizituar panairin “Agrokos & Turizëm 2026”, një ngjarje që pasqyron potencialin, kreativitetin dhe frymën sipërmarrëse të prodhuesve tanë vendorë.
“Ishte kënaqësi të shoh nga afër produktet vendore, iniciativat e reja dhe energjinë krijuese që po e fuqizon sektorin agro dhe atë të turizmit. Mbështetja e prodhimit vendor dhe promovimi i potencialit tonë ekonomik mbeten ndër prioritetet kryesore për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.
Gjatë bashkëbisedimeve me pjesëmarrësit e panairit, theksova edhe rëndësinë e politikave aktive të punësimit, me fokus të veçantë te të rinjtë dhe gratë”, ka theksuar Hoti.
Ai ka thënë se në këtë drejtim programi Super Puna po vazhdon të mbështesë të rinjtë me subvencionim prej 500 eurosh në muaj për gjashtë muaj, duke u krijuar mundësi më të mira për punësim dhe fitim të përvojës profesionale.
“Po ashtu, kemi paraqitur edhe Super Punën për Gratë, një masë e re që do të bëhet aktive në fillim të mandatit të ri, me synimin për ta rritur pjesëmarrjen e grave në tregun e punës dhe fuqizimin e tyre ekonomik”, ka deklaruar Hoti.

