Lajçak: Prioritet në rajon, normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe Kushtetuta e Bosnjës

Lajçak: Prioritet në rajon, normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe Kushtetuta e Bosnjës

Zbatimi i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe modernizimi i Kushtetutës së Bosnje e Hercegovinës (BeH), duhet të jenë ndër prioritetet në rajon, tha të premten i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian (BE) për dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe çështje të tjera të Ballkanit Perëndimor, Mirosllav Lajçak.

Duke folur të premten në forumin 2BS në Budvë të Malit të Zi, Lajçak tha se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përbëjnë sfidën më të madhe strategjike në rajon, sepse, sipas tij, ato ndikojnë në bashkëpunimin rajonal dhe integrimin evropian, shkruan Rel.

Ai përkujtoi se Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshje në fillim të vitit të kaluar për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve, duke theksuar se, sot, 18 muaj më vonë, nuk ka përparim të dukshëm në zbatimin e saj.

Kosova ngul këmbë që kjo marrëveshje të nënshkruhet së pari, edhe pse BE-ja thotë se ajo është e detyrueshme pavarësisht nënshkrimit, ndërsa Serbia ka shprehur rezerva për zbatimin e plotë të saj.

“Ne shohim përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për të arritur sundimin e ligjit në veri të Kosovës. Të gjithë e mbështesin sundimin e ligjit, por për fat të keq, është bërë në atë mënyrë që nxit kundërshtime nga bashkësia ndërkombëtare dhe zhgënjim nga komuniteti vendës. Prandaj edhe kemi më shumë tensione”, tha Lajçak.

Ai iu referua veprimeve rishtazi të autoriteteve kosovare për mbylljen e institucioneve paralele serbe në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

“Unë shtroj pyetjen: cila është alternativa për këtë konfrontim, tension? Kujt i sjell dobi? Sigurisht që jo qytetarëve, e as Kosovës, Serbisë e rajonit. Pra, ne e dimë se çfarë duhet bërë, dhe tani pyetja është: pse të mos e bëjmë këtë?” tha ai.

Duke qenë se Lajçakut i është zgjatur mandati deri në janar të vitit 2025, një nga pyetjet ka qenë nëse ai pret përparim në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë deri atëherë.