Ndahet nga jeta Shkëlzen Gjevori, presidenti i FFK-së: Kontributi i Shkëlzenit në futboll është i paçmueshëm
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, me shumë pikëllim ka marrë lajmin për ndarjen nga jeta të Shkëlzen Gjevorit, ish bashkëlojtarit të tij në KF Kosova të Prishtinës.
Presidenti Ademi ka thënë se ai ishte një njeri i urtë dhe bujar.
“Shkëlzeni ishte jo vetëm një sportist i talentuar, por edhe një person që e nderonte me krenari çdo ambient ku ndodhej. I lindur në një familje intelektuale, ai ishte pasardhës i një trashëgimie të shquar, ku babai i tij, Mehmeti, njihej si “babai i Abetares” në Kosovë. Kjo trashëgimi e thellë kulturore ndikoi në formimin e tij, duke i dhënë një perspektivë të veçantë mbi jetën dhe rëndësinë e arsimit, kulturës e sportit”, ka shkruar Ademi në “Instagram”.
Ai ka theksuar se kontributi i Shkëlzenit në futbollin e Kosovës është i paçmueshëm.
“Ai luajti me pasion e përkushtim, duke treguar jo vetëm aftësi të shkëlqyera teknike, por edhe një etikë të lartë të punës. Pas përfundimit të karrierës si futbollist, ai vazhdoi të jepte kontribut të çmuar si trajner në klube si 2 Korriku dhe Ramiz Sadiku, duke frymëzuar breza të rinj me njohuritë dhe përkushtimin e tij. E kujtoj me mallëngjim kohën kur ishim në fushë, unë më i ri e ai në përfundim të karrierës së tij. Ishte një privilegj të luaja përkrah një lojtari me kaq shumë eksperiencë dhe njohuri. Shkëlzeni gjithmonë e kishte një fjalë inkurajuese dhe një këshillë të mençur për të rinjtë, duke krijuar një ambient të ngrohtë dhe mbështetës për ne”.
“Ndarja nga jeta e tij lë një boshllëk të madh në zemrat tona dhe në historinë e futbollit kosovar. Ndërsa e kujtojmë me respekt dhe dashuri, Shkëlzeni do të mbetet gjithmonë një simbol i pasionit dhe përkushtimit në sport, si dhe një model i mirë për të gjithë ata që e njohën. Pusho në paqe, miku im Shkëlzen. Kujtimi yt do të jetojë në zemrat tona dhe në fushën e futbollit që e doje aq shumë”, ka shkruar presidenti Ademi.