City shkruan historinë me 5 trofe, Messi 8 herë fitues i “Topit të Artë”
Viti 2023 ishte padyshim një ndër më spektakolarët në botën e futbollit!
Megjithatë, ky vit foli në veçanti për Manchester City-n, me skuadrën angleze që për herë të parë në histori fitoi pesë trofe, duke nisur me Premier League, FA Cup, Champions League, Superkupën e Europës dhe në fund e finalizoi me Kupën e Botërorit të Klubeve.
Manchester City shkruan historinë, fiton trofeun e parë të Champions League
Manchester City shkruajti historinë në edicionin e 68-të të UEFA Champions League, me skuadrën e Pep Guardiolës që shënoi emrin me gërma të arta duke hapur kështu një kapitull të ri në këtë kompeticion.
“The Citizens” triumfuan në Stamboll përballë Interit, me italianët që u rikthyen në finale pas 13 vitesh, por goli i Rodrit në minutën e 68-të vendosi fatet e ndeshjes më të rëndësishme të vitit në arenën europiane.
Edicioni i 68-të filloi me disa pretendent, duke nisur nga Real Madrid, Bayern Munich, Liverpool apo edhe Manchester City, me anglezët që vetëm dy edicione më parë kishin luajtur finale e parë në histori, në “Estadio do Dragao” përballë Chelsea-t, por pa mundur që në fund të shkonin te trofeu, megjithatë këtë herë historia tregoi tjetër gjë.
Sevilla vendos rekord në Europa League, e vetmja skuadër që e ka fituar shtatë herë këtë trofe
Sevilla vazhdoi me sukseset në Europa League, ndërsa në 2023 siguroi për herë të shtatë në histori këtë trofe.
Sevilla triumfoi në finalen ndaj Roma-s, të zhvilluar më 31 maj 2023, sfidë që në kohën e rregullt u mbyll me barazimin 1-1. Golin për Romën e realizoi Dybala në minutën e 35’, teksa Sevilla barazoi në minutën e 55’ falë autogolit të Mancini-t.
Në fund Sevilla triumfoi falë penalltive, duke fituar 4-1, duke vendosur rekord absolut në këtë kompeticion.
West Ham, fitues i vitit të dytë të Conference League
Në 2023-shin u zhvillua edicioni i dytë i Europa Conference League, me West Ham që triumfoi me rezultatin 1-2 ndaj Fiorentina-s në finalen e 7 qershorit.
Me këtë triumf skuadra e West Ham u bë fituesi i dytë i Conference League, pas Roma-s që triumfoi në edicion e parë të këtij kompeticioni.
Takimi u zhbllokua në minutën e 62’, me Benrahma që shënoi nga pika e bardhë e penalltisë dhe kaloi “Hammers” në avantazh. Ndërsa vetëm pesë minuta më pas “vjolët” barazuan me Bonaventura. Sfida u vulos nga Bowen në minutën e 90’, duke shënuar golin e triumfit për ekipin e trajnerit Moyes.
Kampionët e Champions League sigurojnë edhe Super Kupën e Europës
Manchester City nuk u ndal vetëm me trofeun e Champions League në 2023-shin. Skuadra e Pep Guardiolës si kampion i Championsit u përballë me fituesit e Europa League, Sevilla-n, në finalen e Super Kupës së Europës më 16 gusht 2023.
Koha e rregullt e kësaj finaleje u mbyll me barazimin 1-1, me golin që për Sevilla-n e shënoi En-Nesyri në minutën e 25’, teksa për City-n shënoi Palmer në minutën e 63’. Sfida shkoi te penalltitë, që u fitua nga Manchester City 5-4.
Manchester City dominon në Angli, fiton titullin e Premier League pas një “lufte” të ashpër me Arsenal dhe FA Cup në finalen ndaj Manchester United
Manchester City fitoi trofeun e Premier League në sezonin 2022-2023 në një kampionat që u vendos vetëm në fund pasi gara me Arsenal ishte shumë e ashpër. Kështu “Citizens” siguruan titullin e nëntë kampion të elitës së futbollit anglez me ekipin që u duk në super formë.
Ndërkohë trajneri Pep Guadiola vazhdoi sukseset në krye të kësaj skuadre, duke fituar edhe FA Cup me rezultatin 2-1 në finalen ndaj Manchester United, që u zhvillua më 3 qershor 2023, me golat që për ekipin e Guardiolës i shënoi Gundogan në minutën 1’ dhe 51’, teksa për skuadrën e Erik ten Hag realizoi Fernandes në minutën e 33’ nga pika e bardhë e penalltisë.
Viti i Manchester City-t, siguron trofeun e pestë dhe shkruan historinë
Më 22 dhjetor të 2023-shit Manchester City siguroi edhe trofeun e pestë për këtë vit. Skuadra e Pep Guardiolës triumfoi në finalen e Kupës së Botës për Klube, me rezultatin 4-0 ndaj Fluminense-s, duke e mbyllur në mënyrën më të mirë të mundshme këtë vit.
City fitoi falë golave të Alvarez në minutat 1’ dhe 88’, Nino (autogol) minuta 27’ dhe Foden në minutën e 72’.
Kështu skuadra e Manchester City-t shkruan historinë, ndërsa për herë të parë merr 5 trofe brenda një viti, Premier League, FA Cup, Champions League, Superkupën e Europës dhe Kupën e Botës për Klube
Napoli fiton titullin e tretë të Serie A në histori, shpallet kampion i Italisë pas 33 viteve
Napoli ishte surpriza e Serie A, me skuadrën e trajnerit Luciano Spalletti që fitoi titullin e tretë në histori, duke u bërë kampion i Italisë pas 33 vite.
Skuadra e Spalletti fitoi bindshëm në sezonin 2022-2023, me Napolin që e mbylli sezonin me 90 pikë, plot 16 pikë më shumë se Laizo i vendit të dytë.
Rikthimi i titullit kampion pas 33 viteve nuk mjaftoi për të vazhduar bashkëpunimin mes Napolit dhe trajnerit Spalletti, me këtë të fundit që u largua në fund të sezonit, pasi nuk mundi të gjente gjuhën e përbashkët me presidentin De Laurentiis.
Ndërkohë skuadrat e tjera që siguruan një vend në Champions League ishin Inter dhe Milan, me “kuqezinjtë” që siguruan “biletën” për të marrë pjesë në kompeticionin më të rëndësishëm për klube, vetëm pas skualifikimit me 15-të pikë të Juventus-it.
Ndërkohë skuadrat që u rrëzuan nga Serie A në këtë sezon janë Spezia, Cremonese dhe Sampdoria.
Messi i paarritshëm, fiton për herë të tetë “Topin e Artë”
Lionel Messi vendos rekord absolut përsa i përket “Topit të Artë”, me argjentinasin që mori trofeun më të rëndësishëm individual për herë të tetë.
Messi fitoi garën për këtë trofe prestigjoz, duke lënë pas emra shumë në formë të futbollit europian si Erling Haaland apo edhe Kylian Mbappe.
Triumfi në Botërorin e Katarit me Argjentinën ishte vendimtar teksa Lionel Messi udhëhoqi Kombëtaren e tij drejt titullit të tretë në histori. Messi fitoi kështu garën me konkurrentin e tij më të fortë Erling Haaland teksa norvegjezi ishte protagonisti kryesor në katër trofetë e siguruar nga Manchester City, Premier League, FA Cup, Champions League dhe Superkupa e Europës.