Rutte merr udhëheqjen e NATO-s, zotohet për mbështetje të fuqishme për Ukrainën

Rutte merr udhëheqjen e NATO-s, zotohet për mbështetje të fuqishme për Ukrainën

Ish-kryeministri holandez, Mark Rutte, menjëherë u zotua për mbështetje të fuqishme për Ukrainën, pasi mori udhëheqjen e NATO-s më 1 tetor.

Marrja e detyrës së sekretarit të Përgjithshëm nga Rutte ndodhi në një moment historik për aleancën, teksa pushtimi rus i Ukrainës po i afrohet ditës 1.000.

Rutte, kryeministri më jetëgjatë në historinë e Hoalndës, u takua me shefin në largim të aleancës, Jens Stoltenberg, në selinë e NATO-s në Bruksel, ku vendosën kurora lulesh për personelin e rënë të aleancës që përbëhet nga 32 anëtarë.

Ata më pas shkuan në sallën ku mbahen mbledhjet e Këshillit të Veri Atlantikut.
Stoltenberg u largua nga udhëheqja e aleancës pas një dekade.

“Nuk mund të ketë siguri afatgjate në Evropë pa një Ukrainë të fuqishme dhe të pavarur”, tha Rutte në fjalimin e tij të parë nga zyra e re, teksa përsëriti zotimin e bërë nga udhëheqësit e aleancës më 2008 se “vendi i merituar i Ukrainës është në NATO”. “Ne duhet të sigurohemi që Ukraina të triumfojë si një shtet sovran, i pavarur dhe demokratik”, tha Rutte.

NATO-ja, e themeluar më 1949 për të penguar dhe mbrojtur nga çdo sulm anëtarët e saj në Evropën Perëndimore nga Bashkimi Sovjetik, e gjeti vetën sërish në qendër të vëmendjes për shkak të luftës së Ukrainës me Rusinë, që udhëhiqet nga presidenti autokrat, Vladimir Putin.