Gërxhaliu: Viti 2023 ka qenë vit me përplot sfida

Gërxhaliu: Viti 2023 ka qenë vit me përplot sfida

Njohësi i çështjeve ekonomike, ish-kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, ka thënë se viti 2023 ishte një vit me përplot sfida.

Ai ka theksuar se ekonomia gjatë këtij viti ka mbetur nën hijen e dialogut Kosovë – Serbi.

Gërxhaliu ka thënë se viti 2023 do të mbahet mend për masat që BE-ja ia vendosi Kosovës, të cilat e kanë dëmtuar Kosovën në aspekt ekonomik dhe politik.

Sipas tij, Kosova tashmë është shndërruar më shumë në një shtet social sesa në një shtet zhvillimor. Ai ka thënë se është shqetësuese se nuk kemi investime dhe investitorë të huaj.

“Viti 2023 ka qenë vit me përplot sfida. Agjenda politike ka dominuar në Kosovë. Hapësirë më të madhe mediale dhe orientuese ka pasur dialogu Kosovë – Serbi. Në këtë drejtim ekonomia ka mbetur nën hijen e kësaj dominance politike. Do të isha personi më i lumtur t’i numëroja sot efektet pozitive apo trendet pozitive ekonomike në Kosovë. Kemi pasur një vit të inflacionit, ngritje të çmimeve, ngrirje të pagave qoftë në sektorin publik apo atë privat, rënie të eksporteve dhe të importeve. Këto besoj janë karakteristikat që e karakterizojnë këtë vit, dhe kur krejt kësaj i shtohet fakti që mungesa e stabilitetit politik e ka dëmtuar Kosovën përballë investitorëve dhe investimeve të huaja, është një argument shtesë. Si rezyme shqetësuese është fakti se viti 2023 do të mbahet mend për masat që BE-ja ia vendosi Kosovës, do të thotë masa të cilat e kanë dëmtuar Kosovën në aspekt ekonomik dhe politik, mbi të gjitha emocional. Masa të tilla në të kaluarën ka pasur vetëm Serbia në vitet e errëta ’90. Sot kanë Rusia, Bjellorusia dhe Irani, prandaj besoj se për qytetarët e Kosovës është një njollë e cila ka dëmtuar imazhin e Kosovës.Dhe ajo çfarë vërtet është shqetësuese është fakti se Kosova po zbrazet çdo ditë e më tepër dhe që nga 1 janari besoj se do të ketë një fluks më të madh të ikjes nga Kosova por, përveç brengës së ikjes së qytetarëve, është brenga e ikjes së kapitalit të bizneseve të Kosovës. Ishte një vit me mungesë të dialogut publiko-privat, një distancë e komunikimit mes pozitës dhe opozitës, mangësi e komunikimit mes nivelit qendror dhe atij lokal dhe në veçanti moskoordinim i aktiviteteve sa i përket politikës sociale. Prandaj, besoj se është një vit që duhet të harrohet, një vit nga i cili duhet të mësohet më shumë dhe mësimi kryesor është që nuk mund të ketë zhvillim ekonomik pa stabilitet politik. E besoj se dialogu nuk ka alternativë”, ka theksuar ai.