Ballkani triumfon bindshëm, Drita vazhdon me fitore

Ballkani triumfon bindshëm, Drita vazhdon me fitore

Java e 7-të e Albi Mall Superligës së Kosovës në futboll solli sot dy përballje tjera të rëndësishme, e ku shpalosën dominimin e tyre ekipet pretendente për titull, Ballkani dhe Drita.

Në Suharekë, kampioni në fuqi Ballkani u tregua i pamëshirshëm ndaj Ferizajt, duke shënuar fitore bindëse 4:0. Nga dy gola në këtë ndeshje i realizuan sulmuesi nigerian, Sunday Adetunji (9′ dhe 67′) dhe Giovanni (36′ dhe 54′).

Për Ferizajn, momenti kyç ishte në minutën e 43-të, kur Gligorov humbi penalltinë që mund të ndryshonte rrjedhën e ndeshjes. Me këtë triumf, Ballkani ngjitet në krye të tabelës me 13 pikë, duke u barazuar kuotën e pikëve me Llapin, Suharekën dhe Malishevën.

Në ndeshjen tjetër, Drita siguroi tri pikë të vlefshme në udhëtim në Klinë, duke triumfuar ndaj Dukagjinit, me rezultat 2:0.

Ndeshja ishte e ngjeshur deri në minutën e 77-të, kur zëvendësuesi Kastriot Selmani shënoi golin e parë për mysafirët.

Për të vulosur fitoren, u përkujdes një tjetër zëvendësues, Blerim Krasniqi që realizoi golin e dytë në minutën e 87-të. Me këtë fitore, Drita arrin në kuotën e 12 pikëve, por ka dy ndeshje më pak se Ballkani, çka i jep avantazhin për të synuar pozitën e parë në javët në vijim.