“Grassroots Week” zbarkoi në Obiliq
FFK-ja ka njoftuar se Festivali i futbollit “Grassroots Week” zbarkoi sot në Obiliq, duke sjellë një atmosferë festive në shkollën fillore “Migjeni” në Sibofc.
“Fëmijët e pasionuar pas futbollit u mblodhën për të shijuar një ditë plot argëtim dhe aktivitete sportive. Nxënësit e kësaj shkolle u përfshinë me entuziazëm në lojërat me top, ndërsa mësimdhënësit dhe drejtori nuk qëndruan larg, duke u bashkuar në këtë përvojë të këndshme”.
“Prindërit, të cilët shoqëruan fëmijët e tyre, e vlerësuan pozitivisht këtë nismë të FFK-së, duke theksuar se futbolli ka një vend të veçantë në jetën dhe familjet e tyre. Aktivitetet e tilla kontribuojnë në zhvillimin fizik dhe shoqëror të të rinjve, duke promovuar njëkohësisht vlerat e sportit dhe të bashkëpunimit”, ka njoftuar FFK-ja.
Shënimi i javës Grassroots vazhdon në një destinacion të ri, me shumë lojëra dhe aktivitete që priten të sjellin shumë gëzim për fëmijët.