Zelensky shpalos “planin e fitores” gjatë takimit me Bidenin

Zelensky shpalos “planin e fitores” gjatë takimit me Bidenin

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, priti presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Shtëpinë e Bardhë më 26 shtator, pasi njoftoi për ndihma ushtarake për Kievin në vlerë prej mbi 8 miliardë dollarë, duke këmbëngulur përsëri se Rusia “nuk do të triumfojë” në pushtimin e saj të Ukrainës.

Zelensky i prezantoi Bidenit atë që ai e ka quajtur “planin e fitores” dhe përsëri kërkoi që Shtetet e Bashkuara të heqin kufizimet për përdorimin e armëve me rreze të gjatë veprimi, që i ka ofruar Kievit, për të goditur thellë brenda Rusisë për të shënjestruar objektivat ushtarake.

“Rusia nuk do të triumfojë. Ukraina do të triumfojë, dhe ne do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë jush në çdo hap të rrugës,” tha Biden ndërsa priti Zelenskyn në Zyrën Ovale dhe pasi e falënderojë për paraqitjen e planit, shkruan Rel.

“Ne e vlerësojmë thellësisht që Ukraina dhe Amerika kanë qëndruar krah për krah,” tha Zelensky, i veshur me një uniformë të stilit ushtarak ngjyrë jeshile të errët.

Zelensky u takua gjithashtu me nënpresidenten Kamala Harris, kandidaten e Partisë Demokratike për presidente, më vonë në Shtëpinë e Bardhë dhe ndau me të “planin e tij të fitores”.