KFF Feronikeli ka siguruar mbetjen në Siguria Superligën e femrave, pas fitores në ndeshjen e barazhit ndaj KFF Deçanit, me rezultat 3:1.
Ndeshja, e zhvilluar sot në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali, nisi më mirë për skuadrën nga Deçani, e cila kaloi në epërsi në minutën e 4-t, me golin e shënuar nga Alberie Boletinaj. Megjithatë, Feronikeli reagoi shpejt dhe barazoi rezultatin në minutën e 10-të, përmes Diellza Gashit.
Në pjesën e dytë, Feronikeli arriti ta përmbysë rezultatin dhe ta kontrollojë rrjedhën e ndeshjes. Fillimisht, Erolina Smakiqi shënoi në minutën e 56-të për epërsinë 2:1, ndërsa Diellza Krasniqi vulosi fitoren në minutën e 67-të, duke realizuar golin e tretë për skuadrën e saj.
KFF Feronikeli e kishte mbyllur edicionin në pozitën e pestë në Siguria Superligën e femrave, ndërsa KFF Deçani kishte përfunduar në vendin e dytë në Ligën e Parë.
Me këtë fitore, Feronikeli ruan statusin e skuadrës së Superligës.

