Punëtori e përbashkët mes KQZ-së së Kosovës dhe Shqipërisë

Punëtori e përbashkët mes KQZ-së së Kosovës dhe Shqipërisë

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi së bashku me stafin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i Republikës së Shqipërisë vizituan Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në Prishtinë.

Kjo vizitë i parapriu fillimit të punëtorisë së përbashkët ndërmjet të dy institucioneve në qendër të së cilës është forcimi i bashkëpunimit mes dy institucioneve dhe shkëmbimi i përvojave në lidhje me informim dhe edukimin e votuesve, votimin jashtë vendit, përdorimin e teknologjisë informative në zgjedhje dhe raportimin digjital të financave të partive politike.

Në fillim të kësaj punëtorie, kryesuesi i KQZ-së së Kosovës, Kreshnik Radoniqi, vuri theksin në bashkëpunimin e mirë mes dy institucioneve, i cili në shumë raste është treguar edhe me ndihmën konkrete dhe mbështetjen logjistike.

Me këtë rast, Radoniqi kujtoi huazimin e kamerave për nevoja të Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve gjatë Zgjedhjeve Lokale të vitit 2021 dhe gjatë procesit të votimit më 21 prill 2024.

Gjithashtu, kryesuesi Radoniqi njoftoi edhe lidhur me ecurinë e organizimit të Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025.

Ndërkaq, Komisioneri Shtetëror, Celibashi theksoi se bashkëpunimi mes dy institucioneve është forcuar dhe ka dhënë rezultate të prekshme për të dy palët.

Celibashi theksoi se dy KQZ-të kanë eksperienca sa të ngjashme aq edhe të ndryshme në proceset zgjedhore, ndaj shkëmbimi i këtyre përvojave do të ndihmojë në identifikimin e sfidave dhe marrjen e masave për mirëorganizimin e proceseve zgjedhore.

Komisioneri Celibashi solli në vëmendje votimin nga jashtë të shtetasve të Kosovës, përvojë e cila do t’i shërbejë KQZ-së së Shqipërisë në përgatitjen e procesit të votimit nga jashtë të shtetasve shqiptarë në vitin 2025.