Osmani uron Vitin e Ri: Të përkushtohemi që 2024-ta, të jetë vit në të cilin dëgjohet secili

Osmani uron Vitin e Ri: Të përkushtohemi që 2024-ta, të jetë vit në të cilin dëgjohet secili

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar Vitin e Ri, duke thënë se viti që po lëmë pas  ishte një dëshmi e qëndrueshmërisë sonë dhe shpirtit të palëkundur kundrejt sfidave.

Osmani ka thënë që duhet përkushtim që 2024-ta, të jetë vit në të cilin dëgjohet secili.

“Në këtë ndërrim motesh, me optimizëm e shpresëplot ju dërgoj urimet e mia më të përzemërta secilit prej jush! Ky vit që po lëmë pas ishte një dëshmi e qëndrueshmërisë sonë dhe shpirtit të palëkundur kundrejt sfidave. Viti i ri që po vjen është mundësi e mirë për të hapur perspektivë të re për të gjithë, për ta rritur shpresën, besimin dhe angazhimin se krahas me ndryshimin e viteve, do të jemi më mirë se në vitin e mëparshëm”.

“Të përkushtohemi që 2024-ta, të jetë vit në të cilin dëgjohet secili, vit në të cilin të gjithë do të ndihemi të vlerësuar e të përmbushur. Viti që po vjen, qoftë vit i përmbushjes së aspiratave tona si shoqëri dhe si shtet. Përpara sfidave nuk duhet të zbrapsemi, por duhet të synojmë t’i arrijmë lartësitë”, është shprehur ajo.

Osmani ka uruar që ky vit i ri t’i sjell të gjitha të mirat për të gjithë qytetarët tanë.

“Urojmë që ky vit i ri t’i sjell të gjitha të mirat për të gjithë qytetarët tanë. Më shumë dashuri për të vegjlit tanë, më shumë suksese për rininë tonë, më shumë begati për punëtorët e pensionistët tanë dhe më shumë kujdes, humanizëm e solidaritet për të pambrojturit dhe për ata që kanë më së shumti nevojë”.

“Sonte, një falënderim të veçantë për të gjithë ata që në këtë natë ndërrimi të viteve kujdesen për shëndetin dhe sigurinë tonë, si dhe për të gjithë të tjerët në krye të detyrës. Viti 2024 qoftë i mbushur me shëndet, dashuri, suksese dhe shkëlqim në të gjitha fushat. Qoftë vit arritjesh pozitive, ku veprat flasin më shumë se fjalët, ku mundësitë janë pafund e ku gëzimi, mbarësia dhe hareja na rrethojnë në çdo anë! Shumë urime për vitin 2024”, është shprehur Osmani.