Haradinaj premton se paga më e ulët në FSK do të jetë 1 000 euro

Haradinaj premton se paga më e ulët në FSK do të jetë 1 000 euro

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se një numër i madh i ushtarëve e kanë lëshuar Forcën e Sigurisë së Kosovës në vitin 2023 dhe 2024.

“Mbi 11 për qind e ushtarëve lëshuan FSK-në vetëm në 2023 dhe 2024. Kjo është alarmante. I ftoj të qëndrojnë, sepse ne do ta ndryshojmë gjendjen”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.

Ai ka thënë se në vitin 2023, numri i pjesëtarëve që e kanë lëshuar FSK-në është 257.

“Në vitin 2024, ka kaluar numri prej 200. I fundit nga ta më 19 shtator 2024. Shumica nga ta përmendin kushtet e vështira financiare dhe pagat e pamjaftueshme në arsyetimin pse lëshojnë Ushtrinë. Edhe pas 4 viteve të kësaj qeverie, numri i pjesëtarëve të uniformuar është nën 4.000, ndërsa forca rezervë e FSK-së është harruar pothuajse plotësisht”, ka deklaruar Haradinaj.
Ai ka shtuar se është i shqetësuar seriozisht me këtë trajtim katastrofal që Qeveria po i bën Ushtrisë sonë, të cilën me shumë mund kemi arritur ta mandatojmë më 2018. “Ftoj rininë t’i bashkohen FSK-së dhe ftoj pjesëtarët të qëndrojnë aty. Ne do ta përmirësojmë me urgjencë gjendjen e tyre financiare dhe kushtet elementare të punës. Qysh në muajt e parë të Qeverisë së re, paga më e ulët në FSK do të jetë 1000 euro”, ka thënë Haradinaj.