Franca buzë formimit të Qeverisë së re

Franca buzë formimit të Qeverisë së re

Pas disa muajve pasiguri politike pas zgjedhjeve të parakohshme, duket se Franca është shumë afër ta ketë Qeverinë e re, pasi kryeministri Michel Barnier pritet ta paraqesë kabinetin e tij para presidentit Emmanuel Macron.

Macroni e emëroi Barnierin kryeministër të vendit para dy javëve.

Barnier, ish-kryenegociator i BE-së për Brexit-in, ka hasur në vështirësi për ta formuar Qeverinë e re, për shkak të dallimeve të mëdha mes partive politike.

Zgjedhjet e parakohshme të thirrura nga Macroni në korrik nuk dhanë fitues të qartë, i cili do të mundë ta formonte Qeverinë e re vetë, duke e lënë Francën në duart e një qeverie të përkohshme.

Tani i takon Macronit ta miratojë kabinetin e Barnierit.

BFM TV raportoi se Barnier e ka propozuar konservatorin Bruno Retailleu për ministër të Brendshëm, ndërsa Jean-Noel Barrot për ministër të Jashtëm.

Sebastien Lecornu do ta mbajë postin e ministrit të Mbrojtjes, sipas BFM TV, derisa ligjvënësi 33-vjeçar, Antoine Armand do ta marrë një post të lartë, të paspecifikuar, në Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave.

Barnier ka shërbyer si ministër i Mjedisit, i Bujqësisë dhe i Punëve të Jashtme, ka qenë edhe ish-kryenegociatori i Bashkimit Evropian gjatë Brexit-it.

Ai ka qenë nën trysni për ta formuar Qeverinë e re pasi deri më 1 tetor është afati kur Qeveria duhet të paraqesë një draft-buxhet për vitin 2025.