
BE: Rumania dhe Bullgaria do t’i bashkohen pjesërisht zonës Shengen nga 31 marsi
Bullgaria dhe Rumania do t’i bashkohen pjesërisht zonës Shengen nga fundi i marsit, njoftoi sot Këshilli i Bashkimit Evropian.
Austria kishte vënë veton ndaj saj vitin e kaluar, duke protestuar për rritjen e numrit të emigrantëve të parregullt që mbërrinin në tokën e saj, përpara se të pranonte përfundimisht ta heqë atë në këmbim të garancive.
Sofja dhe Bukureshti ranë dakord të luftojnë më me vendosmëri imigracionin e paligjshëm në një deklaratë të përbashkët të nënshkruar të shtunën me qeverinë austriake. Në të njëjtën kohë, Bullgaria dhe Rumania u zotuan të zbatojnë plotësisht legjislacionin evropian, i cili parashikon që kërkesat për azil të trajtohen në vendin e mbërritjes së emigrantëve. Rumania dhe Bullgaria, anëtare të Bashkimit Evropian që nga viti 2007, nuk ishin pranuar në fund të 2022 në këtë zonë të gjerë, brenda së cilës 400 milionë njerëz mund të udhëtojnë lirshëm pa kontrolle kufitare të brendshme.
Zona Shengen për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave u krijua në 1985 dhe përfshin 23 nga 27 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, si dhe Zvicrën, Norvegjinë, Islandën dhe Lihtenshtajnin.