Muller është gati të vendos rekord të ri në Ligën e Kampionëve
Thomas Müller është gati të bëjë paraqitjen e tij të 152-të në Ligën e Kampionëve për Bayern Munich, duke vendosur një rekord të ri për më shumë ndeshje të luajtura në këtë garë për një klub të vetëm.
Bayern Munich është nikoqir i Dinamo Zagrebit në ndeshjen e sotme (e martë) në kuadër të ndeshjes së parë të edicionit 2024/25 në Ligën e Kampionëve.
Kjo ndeshje mund të shkruhet në histori të garave evropiane e në veçanti për sulmuesin gjerman të Bavarezëve, Muller, i cili do të luajë ndeshjen e 152-të me klubin nga Allianz Arena.
Ky moment historik vjen pasi Muller vazhdon të forcojë trashëgiminë e tij si një nga figurat më të qëndrueshme në futbollin evropian.
Rekordin për më shumë paraqitje në Ligën e Kampionëve për një klub të vetëm e mbante Xavi Hernandez, i cili bëri 151 paraqitje për Barcelonën, megjithatë duket se Muller do të bëhet rekordmeni i ri.
Karriera e Muller në Bayern Munich ka zgjatur mbi 14 vjet, gjatë të cilave ai ka qenë thelbësor në sigurimin e titujve të shumtë, duke përfshirë dy trofe të Ligës së Kampionëve.
Me këtë paraqitje, Muller gjithashtu do të futet në listën e pesë lojtarëve me më shumë ndeshje në histori të Ligës së Kampionëve, duke barazuar Karim Benzeman në pozitën e katërt.
I pari në këtë listë gjendet Cristiano Ronaldo me 183 paraqitje, i ndjekur nga Iker Casillas me 177 ndeshje dhe Lionel Messi me 163 ndeshje.