Bislimi dhe Petkoviq sot në Bruksel
Kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, gjenden sot në Bruksel për një rund të ri bisedimesh në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
Megjithatë, nuk është ende e qartë nëse ata do të zhvillojnë edhe takim të përbashkët, apo vetëm veç e veç me zyrtarët e BE-së.
Për herë të fundit, ata janë takuar në fillim të korrikut, por pa ndonjë rezultat.
Bislimi e ka akuzuar atëkohë palën serbe se dëshiron vetëm zbatim të pjesshëm të Marrëveshjes Bazë për normalizimin e marrëdhënieve, ndërsa Petkoviq ka thënë se pala kosovare nuk dëshiron ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Marrëveshja Bazë, e cila përfshin edhe obligimin për themelimin e këtij asociacioni, është arritur në shkurt të vitit të kaluar, por nuk ka gjetur zbatim.