Policia parandalon një rast të kontrabandimit të mallrave në Leposaviq
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka parandaluar një rast të kontrabandimit të mallrave në komunën e Leposaviqit.
Rasti ka ndodhur të shtunën, rreth orës 23:00.
“Më datën 31.12.2023 rreth orës 23:30, pas një angazhimi të Njësive për Ndërhyrje të Shpejtë (NJNSH) -Veriu në bashkëpunim me (NJNSH)-Lindje në Jashanicë të komunës së Leposaviqit është kapur një kombi i tipit Mercedes ngjyrë e bardhë, i cili kishte lëvizë nga Serbia për në Republikën e Kosovës përmes rrugëve të pa autorizuar për kalim kufiri”, bën të ditur policia.
Siç thuhet në komunikatë i dyshuari me të vërejtur se është diktuar nga operatorët e NJNSH-së kishte braktisë automjetin dhe ka ikur në drejtim të panjohur.
“Pas kontrollimit të automjetit vërtetohet se i njëjti ishte i mbushur me gjëra ushqimore dhe pije alkoolike”, vijon njoftimi.
Policia e Kosovës me njësitet e saj po punon me përkushtim në menaxhimin dhe kontrollin e vijës kufitare, si dhe parandalimin e veprave penale që ndërlidhen me kontrabandën apo kalimet e
paautorizuara të kufirit shtetëror.
Në lidhje me rastin janë informuar njësitet relevante dhe automjeti është dërguar në Terminalin Doganor për procedura të mëtutjeshme ligjore.