Rexhbeçaj: Momenti kur kam veshur fanellën e Kosovës ishte madhështor

Rexhbeçaj: Momenti kur kam veshur fanellën e Kosovës ishte madhështor

Mesfushori i spikatur i Augsburgut, Elvis Rexhbeçaj, këtë muaj bëri debutimin e tij për Kombëtaren e Kosovës në ndeshjet kundër Rumanisë dhe Qipros. Ai u mirëprit ngrohtësisht nga bashkëlojtarët dhe stafi i kampit dardan. Elvisi në një intervistë të shkurtë për futbolli.info thotë se atmosfera në Kampin e Kosovës e bëri që të ndihej sikur ishte në shtëpi. Në këtë intervistë, ai ndan përvojën e tij si pjesë e ekipit kombëtar dhe mesazhin që ka për të rinjtë që aspirojnë të luajnë për Kosovën.

Si ju kanë pritur bashkëlojtarët dhe stafi?

Elvis Rexhbeçaj: U prita ngrohtë nga stafi dhe ekipi. Më dukej sikur isha në shtëpi dhe që prej kohësh isha pjesë e ekipit kombëtar.

Si ishte atmosfera në kampin e Kosovës?

Elvis Rexhbeçaj: Atmosfera në kampin tonë është shumë e mirë. Kalojmë shumë kohë së bashku dhe argëtohemi, por gjithashtu jemi shumë të përqendruar dhe të fokusuar në punën tonë në fushë. Bëhet punë shumë profesionale dhe ka shumë rregull e disiplinë.

Çfarë ndjenje ishte të përfaqësosh Kosovën?

Elvis Rexhbeçaj: Të përfaqësosh Kosovën ishte një ndjesi e papërshkrueshme. Isha shumë i emocionuar. Momenti kur kam veshur fanellën e Kosovës ishte emocional dhe madhështor, shumë më shumë sesa mund ta imagjinoja. Thjesht është e çmendur ajo ndjenjë! Rezultati i debutimit nuk ishte siç e kishim dëshiruar, por mundi na u shpërblye në ndeshjen e dytë për punën tonë të madhe që e kemi bërë. Dëshirojmë dhe do të punojmë që të vazhdojmë të arrijmë fitore në çdo lojë.

Cili është mesazhi juaj për të gjithë të rinjtë që mund të bashkohen me Kombëtaren e Kosovës?

Elvis Rexhbeçaj: Është një ndjesi e pabesueshme të vish këtu dhe të luash për vendin tonë. Kemi një ekip shumë të mirë dhe shumë të talentuar me shumë lojtarë të rinj, por edhe me përvojë, me të cilët mund të arrijmë shumë në të ardhmen. Na pret një ardhme e ndritur. Andaj, secili i ri duhet të jetë krenar që të përfaqësojë Kosovën dhe të japë maksimumin për vendin e tij. Ata duhet ta përjetojnë këtë ndjesi, e cila është e papërshkrueshme me fjalë.