Kurti dhe Rizvanolli hapin thirrjen e re për subvencione, do të përkrahen 10,000 familje
Ministria e Ekonomisë ka hapur thirrjen publike “Mbështetje konsumatorëve familjarë për investimin në pajisje efiçiente për ngrohje” për shtëpi dhe banesa të financuara nga Bashkimi Evropian në Kosovë (BE).
Në ceremoninë e mbajtur në ambientin e hapur, ku të pranishëm ishin shumë qytetarë, morën pjesë kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe zëvendësshefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Eva Palatova.
Kryeministri Albin Kurti theksoi se kjo është thirrja e 13-të më radhë e subvencionimit për të energjisë, ku deri më tani janë përkrahur rreth 40 mijë familje të vendit tonë me rreth 40 milionë euro.
“Me kursimin që kanë bërë 10 mijë familjet që kanë përfituar, nga thirrja e parë e subvencionit në vendin tonë gjatë sezonit të dimrit 2022 – 2023, janë shpenzuar 14 GWh më pak, e si rrjedhojë i kemi kursyer 1.8 milionë euro të buxhetit të shtetit në import të energjisë elektrike. Numri i familjeve përfituese është katërfishuar, e kursimi vazhdon, pasi këto janë investime që mbeten, që e rrisin rahatinë dhe i ulin shpenzimet vit pas viti”, theksoi kryeministri Kurti.
Kryeministri Kurti, po ashtu u ka bërë thirrje edhe qytetarëve serbë që jetojnë në Kosovë, atyre turq, boshnjakë, ashkali, romë, egjiptas, goranë, kroatë e malazezë që ta shfrytëzojnë mundësinë për të aplikuar për përfitim të subvencionit në pajisje efiçiente ngrohëse.
Ndërsa, ministrja Rizvanolli pohoi se janë arritur investime rekorde në efiçiencë të energjisë në Republikën e Kosovës, ku për tre vite e gjysmë të mandatit qeverisës janë shumë fish më shumë investime në efiçiencë të energjisë, se sa që janë bërë në Kosovë ndonjë herë.
“Vetëm gjatë këtij mandati janë zbatuar masat e efiçiencës në 112 ndërtesa publike nga Ministria e Ekonomisë dhe nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë. Janë përkrahur 35 mijë familje për pajisje elektro-shtëpiake dhe pajisje ngrohëse deri më tani, ndërsa edhe 5 mijë të tjera nga Fondi për Efiçiencë për Izolim dhe në masa të tjera, masa këto që synojmë t’i vazhdojmë edhe në të ardhmen”, tha ministrja Rizvanolli.
Ministrja Rizvanolli shpjegoi se procesi i aplikimit për pajisje efiçiente është lehtë dhe transparent, ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve që të aplikojnë për këtë subvencionim, i cili realizohet përmes platformës e-Kosova.
Kurse, zëvendësshefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Eva Palatova theksoi se është një pako mbështetëse nga BE-ja për energjinë në Kosovë e dizajnuar në vitin 2023, kur në Evropë u panë konsekuencat e agresionit rus kundër Ukrainës, konsekuencat e luftës u panë edhe në furnizimin dhe sigurinë me energji elektrike dhe kjo reflektoi edhe tek faturat e qytetarëve.
“Prandaj në tërë Evropën përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor ne përgatitëm këto pako mbështetëse, ku për Kosovën u ndanë 75 milionë euro, të cilat janë alokuar dhe në mënyrë progresive janë disbursuar në mbështetje të qytetarëve për familje dhe biznese mikro, të vogla dhe të mesme, të cilat kanë nevojë të adaptojnë infrastrukturën energjetike të tyre që të kenë më shumë qëndrueshmëri dhe efiçiencë të lartë të energjisë”, theksoi Palatova.
Masat e prezantuara sot, synojnë mbështetjen e konsumatorëve familjarë për 10,000 familje, në veçanti konsumatorët në nevojë si investimi në instalimin e pajisjeve efiçiente për ngrohje, e të cilat përfshijnë:
•Pompë termike,
•Kondicioner/ klimë efiçiente,
•Kaldaja me biomasë (dru, pelet, briket), dhe
•Stufa individuale me biomasë.
Afati për aplikim është tridhjetë ditë kalendarike, pra deri më datën 11 tetor të vitit 2024, ose deri në shpenzimin e buxhetit të alokuar për këtë thirrje.
Aplikimet e pranuara do të shqyrtohen bazuar në parimin KUSH APLIKON I PARI, SHËRBEHET I PARI, andaj inkurajoheni të aplikoni sa më herët.