Ish-ministri Hasani: Osmani vetëm e ka vulosur atë çfarë ka thënë Albin Kurti
LIsh-ministri i Tregtisë, Bajram Hasani, ka qenë i ftuar në emisionin ‘Zona Zero’ në Top News me Milaim Zekën.
Ai në këtë intervistë ka folur për zhvillimet politike dhe ekonomike në vend, por edhe për çlirimtarët që po mbahen në paraburgim në Hagë.
Ai ka thënë se gëzon respektin më të madh për krerët e UÇK-së, pasi sipas tij, ata janë liria e Kosovës.
“Sot ka ardhur koha që këta pushtetarë ua ndalin edhe financat. Mendoj se procesi i Hagës është proces i shtetit të Kosovës. Atje po gjykohen krerët e UÇK-së, e ne themi nuk po gjykohet UÇK-ja. Atje janë komplet krerët e UÇK-së dhe është vërtet për të ardhur keq. Nuk mbështeten njerëzit që ta kanë sjell lirinë. Sot e gëzon edhe pozitën e kryeministrit falë atyre djemve që sot gjenden në Hagë”, ka thënë ish-ministri Hasani.
Duke folur për zhvillimet e fundit në vend, Hasani ka theksuar se nuk është i kënaqur me zhvillimet në Kosovë. “Po na shqetëson fakti se është një moskoordinim me aleatët tanë me të cilët së bashku e kemi fituar luftën dhe e kemi shpallur pavarësinë, e sot duke e ndërtuar shtetin nuk po koordinohemi, dhe kjo për mua është shqetësim i madh”, ka deklaruar Hasani.
Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë ka thënë se presidentja Vjosa Osmani nuk e ka luajtur rolin e saj si presidente e shtetit sa i përket zhvillimeve në vend. “Ajo vetëm sa e ka vulosur atë çfarë e ka thënë Albin Kurti. Ajo duhet ta luajë rolin që i takon me Kushtetutë dhe të mos mbanë anë politike”, ka deklaruar Hasani.
Duke folur për qeverinë Kurti në aspektin ekonomik gjatë këtij mandati, ish-ministri Hasani ka thënë se ka pasur keqqeverisje edhe në aspektin ekonomik, duke mos pasur një strategji të mirëfilltë në këtë aspekt.
Ai ka thënë se Kurti me veprimet në veri është duke i mbuluar dështimet ekonomik.
Hasani është pyetur edhe për kandidaturën e Bedri Hamzës për kryeministër. “Kam punuar më të dhe kemi qenë në qeveri së bashku. Ai është një ekonomist i mirë. Ka logjikë të zhvillimit ekonomik. Mendoj se Kurti sot i ka dy kandidatë serioz, duke mos përjashtuar edhe kryetarin e LDK-së”, ka thënë ai.
Hasani ka thënë se Bedri Hamza është personi i denjë për ta udhëhequr një qeveri me perspektivë të zhvillimit ekonomik.
Ai ka shtuar tutje se tashme vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja parlamentare, duke theksuar se sot opozita duhet ta ballafaqoi Albin Kurtin me Albin Kurtin për ato çfarë u ka premtuar qytetarëve dhe nuk i ka realizuar.
Ish-ministri Hasani nuk ka qenë i kënaqur me punën që ka bërë opozita gjatë këtij mandati përballë qeverisë Kurti, ai ka thënë se opozitë më të madhe kanë bërë mediet.