Në kuadër të angazhimeve për forcimin e koordinimit ndërinstitucional në fushën e planifikimit hapësinor dhe urbanizmit, Asociacioni i Komunave të Kosovës organizoi takimin e parë të Kolegjiumit për Planifikim Hapësinor, me pjesëmarrjen e Drejtorëve Komunal për Urbanizëm dhe përfaqësuesve institucionalë të kësaj fushe.
Në kuadër të takimit, pjesëmarrësitë u njoftuan lidhur me reformën e kornizës ligjore të planifikimit hapësinor dhe ndërtimit në Kosovë, si dhe me procesin e zbatimit të saj në praktikë, duke përfshirë edhe hapat e planifikuar për harmonizimin e legjislacionit dhe fuqizimin e zbatimit në nivel lokal.
Gjatë takimit, Genc Demiraj, Menaxher i Komponentës së Programit “Kosovo4Green”, prezantoi aktivitetet dhe objektivat e programit në funksion të zhvillimit urban qarkor dhe mbështetjes së komunave në avancimin e planifikimit të qëndrueshëm urban.
Ndërkaq, z. Servet Spahiu, Udhëheqës i Departamentit për Planifikim Hapësinor, Ndërtim dhe Banim në MMPHI, prezantoi procesin e reformës së kornizës ligjore të planifikimit hapësinor dhe ndërtimit, duke theksuar rëndësinë e harmonizimit të legjislacionit dhe zbatimit efektiv të tij në nivel lokal.
Drejtorët komunalë diskutuan gjithashtu për sfidat me të cilat përballen komunat në fushën e planifikimit hapësinor dhe urbanizmit, përfshirë procedurat administrative, zbatimin e planeve zhvillimore, menaxhimin e ndërtimeve dhe nevojën për koordinim më të madh institucional.
Takimi u realizua në bashkëpunim me GIZ Kosovo, në kuadër të projektit Kosovo4Green (K4G), me synim avancimin e bashkëpunimit dhe koordinimit në fushën e planifikimit hapësinor dhe urbanizmit.

