Osmani e akuzon Serbinë se po tenton të krijojë tensione përmes “bandave kriminale”

Osmani e akuzon Serbinë se po tenton të krijojë tensione përmes “bandave kriminale”

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka akuzuar Serbinë të shtunën se po përpiqet të krijojë tensione dhe përshkallëzim në Kosovë dhe në rajon “përmes bandave kriminale të lidhura me shtetin”, pas bllokadave të vendosura në pjesën serbe të pikëkalimeve kufitare mes dy vendeve.

Autoritetet kosovare i mbyllën mbrëmjen e kaluar dy prej pikave kufitare me Serbinë, Bërnjak dhe Merdare, pasi qytetarë serbë vendosën bllokada në pjesën serbe të këtyre dy pikave dhe atë të Jarinjës, duke protestuar kundër vendimeve të kohëve të fundit të autoriteteve kosovare në veriun e banuar me shumicë serbe.

“Serbia edhe njëherë tregon se nuk i intereson lëvizja e lirë, nuk i intereson fqinjësia e mirë. Këto bllokada, të cilat janë krijuar kohëve të fundit, në mënyrë të veçantë kanë për qëllim të terrorizojnë qytetarët shqiptarë donin t’i shfrytëzonin këto pika kufitare”, tha Osmani të shtunën në Podujevë, ku mori pjesë në një ngjarje.