Sylvinho shpallet trajneri i tetë më i mirë në botë i kombëtareve për 2023
Federata Ndërkombëtare e Historisë dhe Statistikave të Futbollit (IFFHS) ka zbuluar trajnerin më të mirë të vitit 2023 në drejtimin e një ekipi kombëtar. Mes kandidaturave ishte edhe Sylvinho, trajneri brazilian i Shqipërisë, i cili u listua në vendin e tetë.
Që nga viti 1987, IFFHS organizon çdo vit votimet dhe statistikat për të kurorëzuar fituesit vjetorë në të gjitha kategoritë botërore. Të gjitha renditjet bëhen për vitin kalendarik, jo për sezonin.
Juria ndërkombëtare që vlerëson kandidaturat përbëhet nga anëtarë të IFFHS (gazetarë sporti, ekspertë futbolli) nga 120 vende të të gjitha kontinenteve të botës.
Nga 10 trajnerët më të vlerësuar të ekipeve kombëtare për vitin 2023, pesë vijnë nga Evropa, tre nga Amerika e Jugut, një nga Azia dhe një nga Afrika.
Lionel Scaloni i Argjentinës është votuar si trajneri më i mirë, duke marrë 185 vota. Ai ka lënë pas Didier Deschamps të Francës dhe Roberto Martinez-in e Portugalisë, përkatësisht me 112 dhe 61 vota.
Luis de la Fuente i Spanjës ka rrëmbyer vendin e katërt duke grumbulluar 56 vota në favor të tij. Spanjolli ndiqet nga Marcelo Bielsa i Uruguait me 43 vota, Hajime Moriysau i Japonisë me 20 vota, Gareth Southgate i Anglisë me 19 vota, Sylvinho me 16 vota, Walid Regragui i Marokut me 15 vota dhe Steve Clarke i Skocisë me 7 vota.
Ndërkohë, jashtë “top 10”-shes kanë mbetur Domenice Tedesco i Belgjikës, Marco Rosi i Hungarisë, Fernando Batista i Venezuelës, Felix Sanchez i Ekuadorit, Jaime Lozano i Meksikës, Thomas Christiansen i Panamasë, Gregg Berhalter i SHBA-ve, Jurgen Klinsmann i Koresë së Jugut, Rui Vitoria i Egjiptit, Avram Grant i Zambias dhe Chris Hughton i Ganës.