Laçi: Mezi e presim Nations League, ndaj Ukrainës sfidë e veçantë

Laçi: Mezi e presim Nations League, ndaj Ukrainës sfidë e veçantë

Kombëtarja shqiptare do të udhëtojë sot drejt Pragës, aty ku do të zhvillojë edhe ndeshjen e parë në Nations League ndaj Ukrainës në stadiumin “Epet Arena”.

Qazim Laçi është shprehur se ndeshja e parë ndaj Ukrainës është shumë e veçantë për të, pasi do të luhet në stadiumin e klubit të tij, Sparta Prague. Mesfushori kuqezi vlerësoi dy kundërshtarët dhe shtoi se mbështetja e tifozëve është shumë e rëndësishme.

Kompeticioni Nations League & ndeshja e parë me Ukrainën – “Mezi po presim që të vazhdojmë një aventurë të re në kompeticionin Nations League. E kemi për detyrë të bëjmë maksimumin pas paraqitjeve në Europian. Për mua është një ndeshje e veçantë me Ukrainën sepse luajmë në Çeki te stadiumi im”.

Ndeshja me Gjeorgjinë në “Air Albania”– “Janë kundërshtarë të fortë, edhe Ukraina dhe Gjeorgjia ishin pjesë të Europianit. Është shumë e rëndësishme që tifozët të vijnë e të na mbështesin si në Gjermani. Do të jetë një moment i bukur për të gjithë lojtarët dhe sidomos për të gjithë tifozët që do të vijnë në stadiumin “Air Albania”, pasi është ndeshja e parë pas Europianit. Kemi shumë nevojë për tifozët për mbështetjen e tyre, si ndaj Gjeorgjisë dhe në ndeshjet e tjera”.