Disa nga futbollistët që i humbi Kosova që bënë jehonë të madhe

Disa nga futbollistët që i humbi Kosova që bënë jehonë të madhe

Besfort Zeneli është vetëm njëri prej vargut të gjatë të lojtarëve që i humbi Kosova ndër vite, e që bënë jehonë të madhe në opinion.

Futbollisti i lindur dhe i rritur në Suedi nuk pranoi t’i bashkohej Kombëtares së Kosovës në grumbullimin e shtatorit, edhe pse menaxheri Bajram Shala konfirmoi të hënën se lojtari e mori ftesën nga selektori Franco Foda.

Në bisedë me mediat suedeze, vëllai i vogël i Arbër Zenelit e konfirmoi se e ka refuzuar ftesën Dardane pasi po e pret një të tillë nga Suedia, shkruan “Gazeta Express”.

E në të kaluarën jo rrallë kemi qenë dëshmitarë të refuzimeve të lojtarëve për të ardhur dhe për të luajtur për Kosovën, apo edhe të ikjes së tyre papritmas nga Dardanët.

Ishin disa lojtarë që luajtën për grupmoshat e reja të Kosovës, siç është rasti i Besfort Zenelit, ndërsa më pas preferuan të luajnë për vendet tjera.

Paraprakisht, Kosova i humbi tre lojtarë të vlefshëm.

Rasti që mbetet i freskët ende është ai i Mirlind Dakut, Arbnor Mujës dhe i Arbër Hoxhës, të cilët, duke u lënë anash nga Kosova, vendosën ta përqafonin fanellën kuqezi të Kombëtares shqiptare.

Daku e Hoxha madje u ftuan edhe në Euro 2024 nga trajneri Sylvinho.

Një tjetër lojtar që e përsëriti rastin e Zenelit junior ishte ai i mbrojtësit Edvin Kurtulus.

Edhe pse luajti për U-21 të Kosovës, ai e braktisi vendin tonë duke e zgjedhur Suedinë, ku ishte lindur e rritur.

Te Kosova U-21 ishte edhe Ardian Ismajli, madje kapiten, por më pas, kur erdhi koha për të kaluar në Kombëtaren A, e bëri një zhvendosje duke iu bashkuar Kombëtares shqiptare.

Një tjetër lojtar i pakënaqur ishte edhe Kastriot Dërmaku, i cili qëndroi shkurt te Kosova për t’i thënë “PO” më pas Kombëtares shqiptare.

Për dy të fundit u tha se qëndrimin tek Dardanët e kishin kushtëzuar me paraqitje standarde në ekip, por që diçka e tillë nuk u faktua kurrë.

Edhe Medon Berisha luajti për Kosovën U-21, por në fund iu bashkua Kombëtares shqiptare.

Adrion Pajaziti është një tjetër lojtar që luajti për Kosovën U-21, por që më pas iu bashkua Shqipërisë U-21.

Kur jemi tek yjet, Mërgim Berisha ishte një tjetër futbollist që po e priste për një kohë të gjatë Kosova.

Por, sulmuesi i rrezikshëm që po e linte pezull dhe në pritje Federatën e Futbollit të Kosovës, në fund vendosi për opsionin Gjermani, shkruan “Gazeta Express”.

Uran Bislimi ishte një tjetër lojtar që u largua papritmas nga Kosova, ndërsa drejtuesit e Kombëtares veprimin e tij e konsideruan si një lloj “tradhtie” dhe “pabesie”.

Edhe pse luajti në miqësore me Verdhekaltrit, mesfushori 24 vjeçar e shfrytëzoi mundësinë sapo i erdhi ftesa nga Zvicra, për t’i thënë lamtumirë Kosovës.

Andi Zeqiri ishte fotografuar duke pozuar me fanellën e Kosovës përkrah kryetarit të FFK-së, Agim Ademi, i cili e prezantonte lojtarin me krenari e me mburrje.

Njëjtë kishte vepruar edhe Kemal Ademi, i cili pritej t’i bashkohej Kosovës, por që në fund ia ktheu shpinën asaj.

Por, sulmuesi kosovar iu bashkua karvanit të ikjeve duke e përqafuar Kombëtaren helvetike sapo i erdhi një mundësi e tillë.

Edhe Ardon Jashari e preferoi Zvicrën, duke e përjashtuar mundësinë që t’i bashkohej kombëtares dardane.

Kosovës së fundmi iu bashkua Elvis Rexhbeçaj, i cili gjithmonë e kishte mendjen tek Gjermania, por që nuk mori ftesë asnjëherë.

Një hamendje të tillë po e ka edhe portieri Diant Ramaj, i cili, njëjtë si i lartpërmenduri, është duke pritur ftesë nga Gjermania.

Nëse një gjë e tillë nuk ndodh, atëherë portieri i Ajaxit, i cili ishte pjesë e Gjermanisë U-20 më herët, mund t’i thotë “PO” Kosovës.

Pra, pjesa dërrmuese e lojtarëve që janë rritur jashtë e shohin Kosovën si një “Plan B”.

Ka prej tyre që vijnë e luajnë për grupmoshat e reja të vendit tonë dhe më pas shkojnë tek Kombëtaret tjera kur bëhet fjalë për ekipin senior, nëse e marrin një ftesë.

Ka raste të tjera kur i bashkohen Kosovës “prej zorit”, duke u dorëzuar përfundimisht nga neglizhenca dhe injorimi i Kombëtareve të tjera karshi tyre.

Një rast i tillë ishte ai i Florent Hadërgjonajt, i cili, pasi Zvicra nuk shprehu interesim serioz për të, erdhi për të luajtur për Kosovën.

Për këto ikje dhe mosardhje, shumëkush e sheh si përgjegjëse Federatën e Futbollit të Kosovës, duke e akuzuar atë për paaftësi dhe menaxhim jo të duhur për t’i bindur lojtarët për të ardhur apo për të qëndruar tek Kosova.

Gjithashtu, fajësohen edhe vetë lojtarët apo edhe menaxherët e tyre apo edhe familjet e tyre, për largimet apo mosardhjet e tyre.

Sidoqoftë, për fat të keq në këtë rast ajo që po pëson është vetë Kombëtarja e Kosovës. /Gazeta Express/