Mbahet punëtoria për finalizimin e projektligjeve për reformën në drejtësi

Mbahet punëtoria për finalizimin e projektligjeve për reformën në drejtësi

Ministria e Drejtësisë, me mbështetje të OSBE-së, ka organizuar një punëtori treditore me qëllim të finalizimit të akteve normative të cilat rrjedhin nga Deklarata e Përbashkët të Zotimeve.

Gjatë kësaj punëtorie, përveç ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, punëtoria u përbë edhe nga pjesëmarrësit nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës, Akademia e Drejtësisë, përfaqësues të BE-së, Ambasadës Amerikane, OSBE-së dhe OJQ-ve, me ç’rast po diskutohet më shumë rreth finalizimit të akteve normative që përfshijnë Disiplinën, Integritetin, Performancën dhe Statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Në fjalën e saj, ministrja Haxhiu tha se me këto akte normative, finalizohet procesi që rrjedhë nga Deklarata e Zotimeve, pjesë e reformës në drejtësi, përmes së cilave rregullohet kontrolli i integritetit për gjyqtarët dhe prokurorët, forcohet sistemi i disiplinimit, vlerësimi performances dhe deklarimit të pasurisë.

Po ashtu, janë përfshirë ndryshime të rëndësishme në ligjet që rregullojnë rekrutimin, avancimin dhe statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Aktet normative të finalizuara do të procedohen për votim në Qeveri dhe Kuvendin e Kosovës në javët në vijim.