“Më 7 qershor, ju do të vendosni: A do të vazhdojmë me krizë? Apo do ta ndryshojmë Kosovën? Unë besoj që Kosova është gati. Gati për stabilitet. Gati për kompetencë. Gati për zhvillim.
Gati për rezultate. Dhe unë besoj që bashkë, do ta ndalim krizën. Bashkë, do ta ndryshojmë Kosovën. STOP krizës. Ndrysho Kosovën. Voto PDK 125”, tha ai.
Hamza prezantoi pesë zotimet kryesore të programit të PDK-së: çmime e tatime më të ulëta, paga e pensione më të larta dhe mbështetje për bizneset; investime në energji, infrastrukturë dhe teknologji të reja; shëndetësi cilësore, me shërbime më të shpejta dhe të qasshme për çdo qytetar; arsim konkurrues, aftësi për të ardhmen dhe mundësi për të rinjtë; si dhe drejtësi e pavarur, e paanshme dhe efikase.
“Qeveria jonë do të jetë qeveri e punës. Qeveri e zhvillimit. Qeveri e dinjitetit për qytetarët. Ne do t’i ulim çmimet. Do ta heqim TVSH-në për produktet esenciale. Qytetarët duhet të kenë më shumë para në xhepin e tyre, jo më shumë barrë mbi shpinë. Ne do t’i rrisim pagat dhe pensionet. 50% rritje për sektorin publik. 50% rritje për pensionet dhe ndihmat sociale. Asnjë ndihmë sociale nën 250 euro. Sepse askush në Kosovë nuk duhet të jetojë pa dinjitet”, premtoi kryetari i PDK-së.
Hamza shprehu shqetësimin se Kosova sot është në krizë ekonomike, sociale e politike, sepse për 6 vite është keqqeverisur nga një kryeministër si Albin Kurti, i cili ka qasje konfliktuale me të gjithë akterët.
“Derisa ju luftoni me faturat, me kreditë, me çmimet, me pasigurinë për të ardhmen e fëmijëve tuaj, Kryeministri aktual lufton me të gjithë. Lufton opozitën. Lufton bizneset. Lufton mediat. Lufton komunat. Lufton edhe aleatët tanë strategjikë. E derisa ai lufton me të gjithë – Kosova stagnon. Miqtë e mi, Kosova nuk ka më kohë për drama politike. Kosova ka nevojë për punë. Ka nevojë për stabilitet. Ka nevojë për lidership serioz. Ka nevojë për rezultate. Këto zgjedhje nuk janë për një politikan. Këto zgjedhje janë për ju”, shtoi ai.
Hamza tha se nga sot fillon puna për rikthimin e Kosovës në rrugën e zhvillimit, partneritetit, dinjitetit dhe ecjes përpara.
“Kosova nuk është ndërtuar nga njerëz që ikën nga përgjegjësia. Kosova është ndërtuar nga burra dhe gra që sakrifikuan gjithçka për këtë vend. Partia Demokratike e Kosovës mban mbi supe një pjesë të madhe të historisë së shtetndërtimit të Kosovës. Nga lufta për liri, tek shpallja e pavarësisë, tek ndërtimi i institucioneve të shtetit tonë. Dhe sot, liderët tanë Hashim Thaçi e Kadri Veseli, dhe bashkëluftëtarët e tyre Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, tanë ndodhen larg familjeve të tyre, në Hagë. Ne besojmë në drejtësi. Ne besojmë në të vërtetën. Dhe ne besojmë se historia nuk mund të rishkruhet. Ata nuk janë vetëm individë. Ata janë pjesë e historisë së Kosovës. Dhe unë besoj fort se ata do të kthehen faqebardhë”, theksoi Hamza.

