KESCO hap zyrtarisht pikë në aeroportin “Adem Jashari”
Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrik (KESCO) ka hapur sot zyrtarisht pikën e vet në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.
Hapjen e saj e bëri menaxhmenti i lartë i KESCO-s.
“Në këtë pikë do të kryhen shërbime të ndryshme, duke filluar nga pranimi dhe trajnimi i kërkesave dhe ankesave të konsumatorëve, udhëzimet në lidhje me to, përditësimi i të dhënave të konsumatorëve, e çështjet që kanë të bëjnë me aplikacionin eKesco, duke përfshirë asistencën për shkarkimin e aplikacionit, udhëzim në kryerjen e pagesave me aplikacion, si dhe udhëzime tjera të përdorimit të tij”, thuhet në njoftimin e KESCO-s.
Së shpejti në këtë pikë do të fillojë edhe pagesa e energjisë elektrike, pra do të shërbejë edhe si arkë për pagesat e energjisë elektrike.
Kjo, po ashtu nuk është prania e parë e kompanisë në portin e vetëm ajror të vendit.
“KESCO gjatë muajit korrik dhe gusht në aeroport kishte vendosur dy shtande, një tek nisjet dhe një tjetër tek arritjet me synimin që të bëjë përditësimin e të dhënave të konsumatorëve dhe familjarizimin me eKesco, sidomos për diasporën, e cila gjatë verës viziton jashtëzakonisht shumë Kosovën, por e ka kohën e limituar për të kryer punë administrative”.
“Të ndarë të kënaqur me shërbimet, një numër i konsiderueshëm i tyre kërkuan që pika të jetë permanente dhe KESCO këtë e jetësoi këtë fillim shtatori”.
“Si rrjedhojë, hapja e kësaj pike llogaritet që do t’iu ndihmojë atyre, sidomos diasporës, jashtëzakonisht shumë në kryerjen e shërbimeve të ndryshme që kanë të bëjnë me furnizimin me energjinë elektrike, por jo vetëm. Aty mund te shërbeheni edhe ju konsumatorë derisa po prisni ardhjen e familjarëve tuaj”.
Ato shërbime pritet të jenë të shumta, kur merret parasysh fakti që vetëm nga janari deri në korrik të këtij viti, përmes ANP-së kanë udhëtuar mbi 2 milionë udhëtarë, duke e bërë një nga vendet më të frekuentuara në Kosovë.
Zyra më e re e KESCO-s ndodhet tek arritjet, përballë hyrje/daljes së aeroportit.