Dëshmia e Imer Imerit në Hagë: Prokuroria nuk e pyet asgjë për vrasjen e vëllait të tij, Haki Imerit

Dëshmia e Imer Imerit në Hagë: Prokuroria nuk e pyet asgjë për vrasjen e vëllait të tij, Haki Imerit

Imer Imeri, ish-anëtar i LDK-së, po dëshmon në Dhomat e Specializuara të Hagës kundër krerëve të UÇK-së.

Megjithëse pritej që ai të dëshmonte për vrasjen e Haki Imerit, një prej rasteve më të diskutuara në Kosovë, një gjë e tillë nuk ndodhi deri më tash.

Imer Imeri nuk u pyet asgjë nga Prokuroria për vrasjen e vëllait të tij, Haki Imerit. Madje, as në përmbledhjen fillestare të rastit.

“Dëshmitari është shqiptar i Kosovës që është rrëmbyer nga ushtarë të UÇK-së me maska sepse ishte përkrahës i LDK-së, dhe e kanë mbajtur në kazermën në Shqipëri. Ai ka qenë në kushte të këqija sanitare, dhe ka parë se si janë trajtuar të tjerët. Mesi qershorit 1999, dëshmitari u transferua në Prizren ku u mbajt për disa ditë me serbë e romë, përpara se ta lironin”, tha prokurorja gjatë leximit të përmbledhjes, raporton Nacionale.

Imer Imeri në disa momente e përmendi vëllain e tij të vrarë, megjithatë nuk pasoi asnjë pyetje nga Prokuroria e Specializuar në Hagë.

“Kanë qenë të dirigjuar prej dikujt, jo që vepronin si ushtri. Unë besoj që edhe Sabit Geci ka qenë i dirigjuar prej dikujt që të më thotë je adhurues i LDK-së, dhe do të iu vrasim të gjithëve. Na kanë keqtrajtuar si njerëz të LDK-së. Pasoja vdekjeprurëse. Me rrahje që përjetova, me thyerjen e nofkës, me varrë në krye, gjaku pa mu hjek 1 muaj ditë, me maltretime. Këto ishin vetëm për akuzën që ma tha Sabit Geci. Kjo u vërtetua deri më sot. Ma vranë vëllaun, ma hoqën frikën përtej se vdekja nuk ke çka bën, jam dalë me fytyrë, jam i mirëpritur në popullin tim dhe kurrë nuk do të rrejë, nuk rrej as sot”, tha ai gjatë dëshmisë së tij.