Kurti takon ministrin e Mbrojtjes të Shqipërisë
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti në ndërtesën e qeverisë, Ministrin e Mbrojtjes të Shqipërisë, Pirro Vengu.
Fillimisht kryeministri shprehu falënderimin për mbështetjen e Shqipërisë dhe raportet tona vëllazërore.
Vuri theksin veçanërisht edhe në thellimin e bashkëpunimit mes ministrive tona të mbrojtjes.
Nga marrëveshjet e arritura si ato për lehtësimin e procedurave të kalimit tranzit të mallrave ushtarake për qëllime dhe nevoja të dyanshme dhe marrëveshja mbi fushën e mjekësisë ushtarake, deri tek rëndësia e aspektit të trajnimeve, ushtrimeve të përbashkëta, bashkëzbarkimit në misione paqeruajtëse dhe operacione ndërkombëtare si pjesë e një kontingjenti dhe investimet e përbashkëta në industrinë e mbrojtjes.
Kryeministri Kurti nënvizoi mbështetjen e Shqipërisë edhe për anëtarësimin e Kosovës si anëtar me të drejta të plota në Kartën e Adriatikut (A-5), ku Shqipëria është edhe kryesuese këtë vit.