Mbyllet aplikimi për subvencione të izolimit të shtëpive

Mbyllet aplikimi për subvencione të izolimit të shtëpive

Është mbyllur aplikimi për thirrjen e dytë publike të projektit “Zbatimi i Masave të Efiçiencës së Energjisë për Shtëpitë Individuale të Banimit”.

Kështu është bërë e ditur nga njoftimi i Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, përcjell Klankosova.tv.

“Mbyllja e parakohshme është rezultat i pranimit të 1333 aplikimeve në vlerë prej 4,998,871.79 euro, të cilat përmbushin buxhetin e destinuar për subvencionim të masave, izolim të mureve dhe kulmit dhe ndërrim të dyerve e dritareve të jashtme, deri në 45% të shumës (5% shtesë për shtëpitë që janë pronë e gruas ose bashkëpronësi e çiftit) duke mos kaluar kufirin maksimal 5500 euro”, thuhet në njoftim.

“Ju rikujtojmë se aplikacionet kanë filluar të shqyrtohen sipas radhës së arritjes së tyre dhe së shpejti fillon shpërndarja e letrave të para-aprovimit. Të gjithë ata që pranojnë këtë dokument (para-aprovimin), duhet të ndjekin edhe më tutje rregullat e parapara në thirrjen publike deri në përfundim të procesit kur edhe marrin paratë. Pra, punimet duhet të fillojnë vetëm pas para-aprovimit nga FKEE dhe ato duhet të përfundojnë më së largu me datën 31.12.2024, dhe pas kësaj date nuk mund të trajtohet asnjë kërkesë për disbursim të mjeteve”.

Në lansimin e thirrjes së dytë të këtij projekti, kryeministri Albin Kurti pati thënë se “për shkak të interesimit të lartë, pakoja do të jetë e hapur për vetëm dy javë, ndryshe nga planifikimi fillestar”.