Parandalohet kontrabandimi i telefonave në Qendrën Korrektuese të Dubravës
Është parandaluar kontrabandimi i telefonave në Qendrën Korrektuese të Dubravës.
Shërbimi Korrektues i Kosovës përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se gjatë bastisjes, janë gjetur tre telefona dhe një adapter.
“Pas marrjes së një informacioni nga Departamenti për Siguri i SHKK-së, oficerët korrektues kanë arritur të parandalojnë një tentativë kontrabande në Qendrën Korrektuese të Dubravës. Menjëherë pas pranimit të këtij informacioni, u organizua një bastisje në zonën sterile nga Njësiti K9 i SHKK-së”.
“Gjatë bastisjes, u gjetën tre telefona mobil dhe një adapter. Telefonat u lokalizuan dhe tashmë kanë nisur hetimet për të zbuluar mënyrën se si është tentuar futja e këtyre pajisjeve kontrabanduese brenda qendrës korrektuese. Shërbimi Korrektues i Kosovës mbetet i përkushtuar në luftimin e kontrabandës brenda institucioneve korrektuese dhe riafirmon që nuk do të tolerojë asnjë veprim që rrezikon rendin dhe sigurinë në këto institucione”, thuhet në njoftim.