Vdes trajneri legjendar suedez, Sven-Goran Eriksson
Bota e futbollit është në zi sot.
Ka vdekur në moshën 76 vjeçare trajneri legjendar suedez, Sven Goran-Eriksson.
Ish-trajneri i klubeve të njohura evropiane dhe i Kombëtares angleze po vuante qe një kohë nga kanceri, ndërsa sot i mbylli sytë përgjithmonë.
“Sven Goran Eriksson ka ndërruar jetë. Pas një sëmundjeje të gjatë, SGE vdiq në këtë mëngjes në shtëpinë e tij i rrethuar nga familja”, njoftoi familja e trajnerit suedez, i cili po vuante nga kanceri në pankreas.
Suedezi ishte bërë trajneri i parë i huaj që e kishte marrë në dorë Kombëtaren e Anglisë në vitin 2001, duke e drejtuar të ashtuquajturën “gjeneratë e artë” e lojtarëve, duke i përfshirë këtu David Beckham, Steven Gerrard, Wayne Rooney e Frank Lampard.
Gjatë karrierës, i ndjeri i kishte udhëhequr ekipet e profilit të lartë evropian si Benfica, Roma, Fiorentina, Sampdoria and Lazio.
Eriksson e kishte lënë Kombëtaren e Anglisë pas Botërorit 2006, ndërsa më pas e kishte drejtuar Meksikën dhe Bregun e Fildishtë, por edhe klubet angleze Manchester City e Leicester City.
Për shkak të problemeve me shëndetin, ai u bë drejtor sportiv i klubit suedez, Karlstad në shkurt të vitit 2023.
Pasi njoftoi për sëmundjen e rëndë, Erikssonit iu mundësua ta realizonte ëndrrën e tij për ta drejtuar Liverpoolin, në një ndeshje të legjendave të klubit kundër Ajaxit në “Anfield Road” në mars të këtij viti.