Kërkohet paraburgim për të dyshuarin që dhunoi një grua në Ferizaj

Kërkohet paraburgim për të dyshuarin që dhunoi një grua në Ferizaj

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se ka kërkuar nga Gjykata Themelore, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit H.H., nga Gjilani, për shkak të veprës penale “dhunimi”.

Në komunikatën për media bëhet e ditur se sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se me datën 12 gusht 2024, në Ferizaj në një motel, me kanosje se do t’i publikoj fotografitë nudo të të dëmtuarës e ka detyruar të dëmtuarën M.B., që të takohet fillimisht në një restorant e pastaj e ka dërguar në motel, ku ka kryer marrëdhënie seksuale pa pëlqimin e saj.

Tutje, thuhet se i pandehuri ka kërkuar nga e dëmtuara që të takohen për të kryer marrëdhënie seksuale duke e kanosur se do t’i publikojë fotot që i kishte në telefonin e tij, mirëpo e dëmtuara nuk ka pranuar dhe e ka paraqitur rastin në polici me datë 19.08.2024, me këtë do të kryente veprën penale “Dhunimi”.

I pandehuri me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh për veprën penale të lartëcekur.