Shefi i CIA-s në Ballkan, temë Kosova dhe Bosnja
Në Beograd, për vizitë të paparalajmëruar po qëndron i pari i shërbimit më të fuqishëm të inteligjencës në botë, CIA-s amerikane.
Atje, William Burns shkoi pas vizitës tjetër të paparalajmëruar në Sarajevë gjatë ditës së djeshme.
Ndonëse detaje të pakta u dhanë për qëndrimin e tij në Sarajevë, e edhe më pak për atë në Beograd, analistët në Serbi po besojnë se kjo vizitë ka dy qëllime: situatën në Kosovë dhe në Bosnje e Hercegovinë.
Drejtori hulumtues i Qendrës së Beogradit për Politika të Sigurisë, Predrag Petroviq, thotë për median serbe “Nova” se kjo vizitë është e pazakontë, duke pasur parasysh se drejtori i shërbimit më të fuqishëm të inteligjencës në botë po vjen në dy vende të vogla ballkanike.
“Nga ana tjetër edhe kjo është e kuptueshme, duke qenë se Ballkani është ndër pikat e mundshme problematike. Konkretisht bëhet fjalë për Kosovën dhe Bosnje Hercegovinën. Prandaj, është një vlerësim vjetor i kërcënimit i lëshuar nga komuniteti amerikan i inteligjencës, dhe përmend Bosnjën dhe Kosovën për vitin 2024. Millorad Dodik dhe aspiratat e tij secesioniste u përmendën gjithashtu në mënyrë eksplicite. Duke qenë se deklaratat e tij për shkëputjen e Republika Sërpskas nga Bosnja dhe Hercegovina janë të shpeshta kohëve të fundit, është e kuptueshme që Amerika reagon në këtë mënyrë”, thotë Petroviq, transmeton Klankosova.tv.
Ai thekson gjithashtu se Ballkani si i tillë nuk është prioritet për Amerikën, janë pika të tjera më serioze, por që sigurisht nuk kanë nevojë për një përshkallëzim të ri.