
Mungesa e transparencës: AKP nuk i tregon kompanitë në garë për pesë pikat e karburanteve në veri
Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) vazhdon të tregojë mungesë transparence lidhur me pikat e karburanteve në pjesën veriore të Kosovës, shkruan Demokracia.com.
Demokracia.com gjatë ditës së djeshme ka kërkuar nga AKP-ja informacione për kompanitë që kanë dorëzuar oferta dhe numrin e ofertave, meqenëse ato janë hapur më shumë se dhjetë ditë më parë. Megjithatë, ky institucion nuk ka kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.
“Periudha e qiradhënies është dyvjeçare me mundësi vazhdimi, si dhe me mundësinë e ndërprerjes së qiradhënies për shkak të privatizimit ose çështjeve të tjera relevante. Për njësitë e lartpërmendura, kushti për marrje me qira është vazhdimi i të njëjtës veprimtari dhe licencimi i operatorëve ekonomikë për tregtinë me pakicë të derivateve të naftës. Ofertat do të pranohen më 09.08.2024 prej orës 10:00 deri 12:00 në zarfe të mbyllura për secilën njësi veç e veç. Zarfe do të hapen publikisht në Divizionin e Zyrës Rajonale të AKP-së në Prishtinë më datë 09.08.2024 në ora 12:15. Ofertat përmes faksit nuk do të pranohen”, thuhet ndër të tjera në shpalljen e AKP-së.
Pas hapjes së ofertave, një komision vlerësues i caktuar nga AKP-ja ishte i detyruar të bëjë vlerësimin e tyre dhe të vendosë bazuar në kriteret e përcaktuara, ku çmimi më i lartë i ofruar për një pikë karburanti ishte kushti kryesor. Nuk dihet nëse është bërë vlerësimi i ofertave apo jo. Ditë më parë, Demorkacia.com kishte raportuar se AKP në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kishin larguar nga këto pika të karburanteve operatorët ekonomikë, kompani me pronësi serbe me arsyetimin se janë duke operuar pa licencim dhe pa fiskalizim, që përbënte shkelje të kontratës së qirasë.
Pas këtij veprimi, Demokracia.com kishte raportuar se në një pikë te karburanteve ishte futur kundërligjshëm një biznes që bashkëpunon me partinë e Albin Kurtin, si kontraktor i saj. Pas raportimit, kompania ishte tërhequr nga tentimi për t’u futur kundërligjshëm aty.