Çka dihet deri tani për arratisjen e Blerim Ramadani?

Çka dihet deri tani për arratisjen e Blerim Ramadani?

Ish-ushtari i UÇK-së, Blerim Ramadani, i cili ishte në arrest shtëpiak në Maqedoni të Veriut, është arratisur dje. Këtë veprim ai e ka ndërmarr pasi drejtësia maqedonase kishte vendosur ta kthente në paraburgim.

Ndryshimin e masës së sigurisë për veteranin e UÇK-së e ka konfirmuar Ministria Punëve të Jashtme të Kosovës.

Sipas MPJD-së, masa e sigurisë i ishte ndërruar nga Gjykata Themelore Penale, para se ta merrte vendimin final nga Gjykata Supreme për ekstradim ose mosektradim në Serbi.

“Në lidhje me pyetjet tuaja ju njoftojmë që Ambasada e Republikës së Kosovës në Maqedoni të Veriut është njoftuar nga avokati i z. Ramadani se është ndërruar masa e sigurisë nga arresti shtëpiak në kthim në paraburgim, në kohën kur i njëjti ishte në pritje të vendimit të Gjykatës Supreme.”, ka bërë të ditur nga MPJD-ja.

Disa orë pas lajmit për arratisje, të afërmit e Ramadanit kanë bërë me dije se i njëjti ka arritur në Kosovë.

Edhe Luan Jahiri, nënkryetar i OVL së UÇK-së në Ferizaj, ka treguar se Blerim Ramadani për momentin ndodhet në Kosovë.

Ai ka rekomanduar shokun e tij që të lajmërohet të institucionet e Kosovës, që të sqarohet çështja.

“Me Blerimin sot nuk kemi fol gjatë, unë e kam lavdëru për vendimin që e ka marrë, është e vështirë që të kthehesh në paraburgim se lërë më të ekstradohet në Serbi. Blerimi ndodhet në Kosovë. Nuk e kemi parë as ne, do ta shohim gjatë ditëve në vijim, ai duhet të dal se e ka përkrahjen e të gjithëve. Ne do t’i rekomandojmë atij që të lajmërohet pranë institucioneve tona, që të sqarohet e tëra kjo çështje”, është shprehur Jahiri.

Veprimin e Ramadanit e ka përkrahur edhe Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku.

Ai ka bërë me dije se Ramadani është arratisur pasi drejtësia maqedonase kishte vendosur për rikthimin e tij në paraburgim me qellim që të ekstradonte në Serbia.

Në profilin e tij në “Facebook”, Klinaku ka shkruar se pushteti i ri në Maqedoni, i cili është ndihmuar nga Kurti, po i përndjek veteranët e luftës së UÇK-së.

“Pasi nga arresti shtëpiak vendosën që ta kthenin në paraburgim me qëllim ekstradimi në Serbi, Blerim Ramadani u arratis dhe bëri shumë mirë. Shteti artificial i Maqedonisë paska lëshuar fletarrest ndaj tij, sepse do që të zbatojë urdhërat e Vuçiqit. Ky pushtet i ardhur në Maqedoni, e që fatkeqësisht në emër të ndryshimit u ndihmua nga Kurti, po i përndjek veteranët e luftës së UÇK-së. Por, le ta kuptojnë se nëse vazhdohet kjo politikë e përndjekjes së shqiptarëve, për çdo eskalim të situatës do të jenë përgjegjës”, ka shkruar Klinaku.

Ndërsa, Ministria e Punëve të Brendshme në Maqedoni ka lëshuar fletarrest për Ramadanin.

“Autoriteti gjyqësor kompetent ka dorëzuar dokumentacion në Ministrinë e Punëve të Brendshme për dhënien e fletarrestit qendror për personin B.R. pasi aktualisht është i padisponueshëm për forcat e rendit. MPB po ndërmerr masa për gjetjen e personit.”, është thënë në njoftimin e MPB-së maqedonase.

Ramadani është arrestuar nga autoritet maqedonase më 17 korrik në pikëkalimin kufitar Jazhincë.

Arrestimi ka ndodhur duke i bazuar në një fletarrestimi të lëshuar nga Gjykata në Beograd, përmes INTERPOL Serbia.

Javën e kaluar një gjykatë në Shkup kishte vendosur se Ramadani nuk do të ekstradohet në Serbia.