Kosova refuzon kërkesën e Serbisë për rastin e Banjskës

Kosova refuzon kërkesën e Serbisë për rastin e Banjskës

Ministria e Drejtësisë e Kosovës ka thënë të mërkurën se kërkesa e Serbisë për të siguruar informacione për sulmin në Banjskë të Zveçanit, një vit më parë, është në kundërshtim me disa pika të Ligjit për bashkëpunim juridik ndërkombëtar, dhe në bazë të ligjeve të Kosovës, vetëm organet gjyqësore të Kosovës kanë juridiksion t’i gjykojnë çështjet që pretendohet se janë kryer brenda territorit të vendit.

Më 24 shtator të vitit të kaluar, një grup i armatosur serb e ka sulmuar Policinë e Kosovës në Banjskë, duke lënë të vrarë zyrtarin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjakun.

Në shkëmbim e sipër të zjarrit janë vrarë edhe tre sulmues serbë.

Përgjegjësinë për sulmin – që Kosova e konsideron terrorist – e ka marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i cili tani besohet se është në Serbi.