Ushtarët ukrainas thonë se hynë me lehtësi në Rusi

Ushtarët ukrainas thonë se hynë me lehtësi në Rusi

Ndërsa “Z” mund të jetë simboli i pushtimit rus në Ukrainë, një trekëndësh përfaqëson përpjekjen më të guximshme të Ukrainës për ta zmbrapsur atë. Ato janë ngjitur ose vizatuar në anët e çdo kamioni furnizimi, tanku ose autoblinde që shkon drejt kufirit rus në rajonin Sumy.

Është një ofensivë që ka kapur qindra kilometra katrorë të territorit rus dhe ka rikthyer dukshëm vrullin dhe moralin në përpjekjet luftarake të Ukrainës. Zyrtari rus i ngarkuar me rajonin kufitar të Kurskut ka folur për 28 vendbanime nën kontrollin e Ukrainës, dhe pothuajse 200,000 rusë janë larguar nga shtëpitë e tyre.

Tomash sapo është kthyer nga misioni ndërkufitar i Ukrainës së bashku me shokun e tij “Accord”, i cili thotë se ishte “cool”. Njësia e tyre e dronëve kishte kaluar dy ditë duke i hapur rrugën inkursionit ndërkufitar.

“Ne kishim urdhër të vinim këtu, por nuk e dinim se çfarë do të thoshte”, thotë Tomash ndërsa ndalon për një kafe në një pikë karburanti.

“Ne shkatërruam paraprakisht mjetet e komunikimit dhe mbikëqyrjes së armikut për të hapur rrugën”, shtoi ai. Saktësisht se sa territor rus është kapur është i paqartë, megjithëse ka skepticizëm mbi pretendimin e komandantit të përgjithshëm Oleksandr Syrskyi se 1,000 km katrorë është nën kontrollin e Ukrainës.

Ministria ruse e Mbrojtjes këmbënguli të martën se përpjekjet e Ukrainës për të hyrë më thellë është penguar, por ato ishin dëshmuar të gabuara më parë.

Cilido qoftë realiteti, duket se Kievi është i përkushtuar ndaj këtij kumari ushtarak.

Nëpërmjet aplikacionit të mesazheve Telegram, një ushtar ende në Rusi thotë se plani i muajve të tërë kishte për qëllim t’i detyrojë ata në Moskë të zhvendosin trupat nga pjesë të tjera të vijës së frontit në Ukrainë.

“Elementi i befasisë funksionoi. Ne hymë lehtësisht me pak rezistencë. Më 6 gusht, grupet e para kaluan natën në disa drejtime. Pothuajse menjëherë ata arritën në periferi perëndimore të qytetit të Sudzha”, tha ai.