Vitia: Nisi puna për transformimin e Klinikës së Gjinekologjisë
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se ka nisur puna për transformimin e Klinikës së Gjinekologjisë.
Sipas tij, do të investohen rreth dy milionë e gjysmë euro për t’i mbërritur standardet.
“Klinika e Gjinekologjisë pas rinovimit do të ketë: Dhoma të riorganizuara me 2 shtretër, të kompletuara me kushte optimale e të pajisura me tualet brenda”, ka shkruar ai në Facebook.
“Ambulanca specialistike të rinovuara në tërësi. Sportele të reja e të riorganizuara ku pacientet e kanë qasjen e parë. Sistemin e rregullimit numëror për pritje të pacienteve. Hapësira të reja të pritjes për familjarët e pacienteve. Hyrja e rinovuar dhe instalimi i rampës për karroca”, ka shtuar ai.
Tutje ai ka bërë të ditur se klinika i ka 24 mijë metra katror ku japin shërbime 286 vetë staf mjekësor dhe mbështetës.
“Në të jepen shërbime të natyrës specialistike gjinekologjike e obstetrike. Për çdo muaj në klinikë kryhen mesatarisht 1000 lindje. Vijojmë transformimin klinikë për klinikë. Shëndetësi publike për vajzat dhe gratë”, ka thënë Arben Vitia.