“Ditët e Mjedrës”, Peci: Subvencionet për vitin 2024 janë rritur për gati 70%

“Ditët e Mjedrës”, Peci: Subvencionet për vitin 2024 janë rritur për gati 70%

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, së bashku me kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi dhe ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Georg Shnetcer, ishin mes prodhuesve të mjedrës, për të shënuar “Ditët e Mjedrës” në Ballofc të Podujevës.

“Mjedra është një frut strategjik që ka dëshmuar potencialin e madh për zhvillim ekonomik në vendin tonë, ndërsa Podujeva është bërë e njohur për prodhimin e mjedrës, duke ndërtuar kështu një markë të veçantë në identitetin e saj. Nëpërmjet investimeve dhe përkrahjes së shtuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, sektori i mjedrës po rritet dhe forcohet çdo vit”, ka thënë Peci.

Ai ka theksuar se subvencionet për vitin 2024 janë rritur për gati 70% krahasuar me vitin 2021, duke e bërë më të lehtë për kultivuesit të investojnë dhe të rrisin prodhimin.

“Gjithashtu, përmirësimi i kapaciteteve përpunuese brenda vendit na mundëson që një pjesë e konsiderueshme e mjedrës të përpunohet dhe të ketë një vlerë të shtuar në treg. Së bashku, mund të ndërtojmë një të ardhme të ndritshme për sektorin e mjedrës dhe për ekonominë e përgjithshme të Kosovës”, ka deklaruar Peci.