Shtyhet sërish vendimi për masën e sigurisë ndaj Berishës

Shtyhet sërish vendimi për masën e sigurisë ndaj Berishës

Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka shtyrë sërsih vendimin për dhënien e masës së sigurisë për ish-kryeministrine Shqipërisë, Sali Berisha.

Në seancën e mbajtur këtë të enjte, GJKKO vendosi që vendimi të jepet ditën e shtunë në orën 11:00.

Shkak është bërë kërkesa e avokatëve të Berishës për përjashtimin e gjyqatres Irena Gjoka, e cila sipas tyre është në kushtet e konfliktit të interesit me ish-kreyministrin, për shkak se ky i fundit e ka shkarkuar në vitin 1996.

GJKKO në një njoftim publik theksoi se shtyrja bëhet për t’i dhënë mundësi mbrojtjes të depozitojnë kërkesën për përjashtimin e trupit gjykues.

“Seanca shtyhet për ditën e shtunë më 30 dhjetor, për t’i dhënë mundësi avokatëve mbrojtës të depozitojnë kërkesën për përjashtimin e trupit gjykues”, njofton kjo gjykatë, raporton EuronewsAlbania.

Kujtojmë se SPAK kërkoi që Berishës t’i caktohet masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”  me mbikëqyrje policore, si dhe të mos i lejohen komunikimet me persona jashtë familjes.

Si parapërgatitje për këtë vendim të GJKKO, Berisha nga ana tjetër në 5 ditët e fundit ka bërë disa lëvizje. Fillimisht ka nisur një proces riorganizimi të partisë që tashmë do duhet të funksionojë në këto kushte të reja që Berisha nuk do mundet të dalë nga banesa. Po ashtu, janë shtuar kontaktet me grupimin e Bardhit për të mundësuar një koordinim të aksionit opozitar edhe përtej Kuvendit.

Ish-kryeministri akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për korrupsion pasiv të kryer në bashkëpunim me dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi dhe ndërtuesin Fatmir Bektashi sa i takon privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”.